Vazhdon projekti i zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë
Prishtinë, 20 tetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, së bashku me kreun e Zyrës së BE-së, në Prishtinë Samuel Zhbogar dhe kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ,kanë përuruar vendosjen e masave të Efiçiencës së Energjisë në shkollën 8 Marsi në Pejë .
Me këtë rast ministri Ismajli, ka pohuar se gjenerimi i energjisë nuk do të jetë çështje sfiduese në të ardhmen, por shfrytëzim më i mirë i energjisë së gjeneruar , andaj sipas tij efiçienca e energjisë është edhe burimi më alternativ i energjisë më i lirë dhe njëkohësisht më i besueshmi.
Komisionit Evropian i jemi mirënjohës për financimin e këtij projekti, që është një përkrahje e vlefshme me anë të së cilës do të ndihmohet drejt arritjes së caqeve të kursimit të energjisë sipas direktivave të BE-së , ka thënë ministri Ismajli.
Nga ana e tij numri një i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, ka thënë se deri më tani janë përzgjedhur 63 shkolla në tërë Kosovën për të instaluar masat e efiçiencës së energjisë.
Mendoj se kemi bërë një punë të mirë dhe në këtë shkollë kemi kombinuar dy gjëra, në njërën anë mjedisin dhe në anën tjetër zhvillimin, pra i kemi kombinuar që të dyja ekonominë dhe mjedisin ,ka thënë Zhbogar
Ndërsa, kreu i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ,duke falënderuar kreun e BE-së Samuel Zhbogar dhe ministrin Ismajli tha se ndihma respektivisht vendosja e masave te efiçiencës së energjisë është e rëndësishme në veçanti vendosja e këtyre masave në shkolla.