Vazhdon avancimi i bashkëpunimit KEK-KESH
Tiranë, 30 prill - Korporata Energjetike e Kosovës dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë kanë ripërtërirë të premten, me 30.04.2010 në Tiranë, Marrëveshjen për Shkëmbimet e Energjisë Elektrike. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga z. Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut dhe nga z. Muharrem Stojku, Drejtor i KESH-it, paraqet avancim të mëtutjeshëm të kompanive simotra dhe është një hap përpara drejt vizionit përfundimtar që është shkrirja e dy sistemeve energjetike në një të vetëm.
Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 KEK-u ka arritur të kursejë 2.9 milionë euro nga shkëmbimet me korporatën simotër, KESH. Kjo është arritur duke mënjanuar aq sa ishte e mundur importin dhe duke u orientuar në shkëmbime të energjisë elektrike. Efekti tjetër është evitimi në maksimum i shkallës së përmbytjeve. Me marrëveshjen e re do të arrihet ulja e mëtutjeshme e kostos për të dy korporatat dhe furnizimi stabil me energji elektrike, tha z. Gjukaj.
Krijimi i një sistemi të vetëm energjetik paraqet edhe rritjen e fleksibilitetit në furnizim për shkak të divergjencave të prodhimit nga dy korporatat.
Aktualisht KEK-u e ka të bazuar prodhimin energjetik 95 për qind në termoelektrana ndërsa KESH-i 95 për qind në hidroenergji. Fuzionimi i dy sistemeve paraqet rritje të sigurisë në furnizim dhe shfrytëzimin maksimal të resurseve nga qymyri dhe atyre hidrike me kosto minimale, shtoi z. Gjukaj.
KESH me herët ka derdhur rezervat hidrike gjatë reshjeve të shumta, ndërsa KEK-u është gjendur në situatë të vështirë në rast të rënieve të paplanifikuara të blloqeve. Tash situata ka ndryshuar.
Për shkak të prurjeve të mëdha, KESH ka depozituar 100 milionë kilovat/orë energji elektrike vetëm gjatë vitit 2010. Kjo ka ndikuar që ndikimi i vërshimeve të jetë shumë më i ulët tha z. Stojku.
Marrëveshja e re definon qartë termat kohorë dhe sasinë e liferimit të energjisë elektrike në rast të rrethanave të veçanta.
Pas ripërtritjes së marrëveshjes në rast të prurjeve të mëdha KESH menjëherë nis dërgimin e energjisë elektrike drejt KEK-ut. Në rast të rënieve të paplanifikuara të njësive gjeneruese të KEK-ut, KESH do të nisë brenda dy orësh furnizimin e Kosovës me energji elektrike deri në 300 megavatë/orë. Në bazë të marrëveshjes kjo mund të bëhet deri 4 herë në muaj, shtoi z. Stojku.
Marrëveshja për Shkëmbimet e Energjisë Elektrike është nënshkruar në ambientet ku po mbahet Panairin Ndërkombëtar i Teknologjisë, Energjisë dhe Mjedisit që po mbahet në Sallën e Kongreseve në Tiranë.
KEK është bashkëorganizator i këtij forumi së bashku me korporatën simotër KESH, Konfindustria & Fiera de Levante, Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të Shqipërisë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Italisë dhe Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë.
Në këtë panair po marrin pjesë kompani të njohura evropiane nga lëmia e energjetikës.