Vazhdon aksioni i pastrimit në Prishtinë
Prishtinë, 13 korrik - Organizata Mjedisore Lets Do It Kosova po vazhdon edhe më tej me aktivitete vetëdijesuese për mbrojtjen e mjedisit, të cilat po konkretizohen me aksione pastrimi nëpër lokacione të ndryshme të vendit.
Vullnetarët e Iniciativës Ta Pastrojmë Kosovën do të realizojnë sot aksion pastrimi në lokacionin Rruga e vjetër e Shkupit Veternik, afër Spitalit Amerikan, duke filluar nga ora 10:00.
Aksioni do të realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, kompaninë menaxhuese të deponive në Kosovë dhe Kompaninë e pastrimit VZ.
Presim që aksionit ti bashkohen edhe banorët e asaj zone, në mënyrë që ta eliminojmë në tërësi atë deponi ilegale të mbeturinave.
Iniciativa Lets Do It Kosova, njofton të gjithë qytetarët, se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej, prandaj u bëjmë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje.
Fushatën Ta Pastrojmë Kosovën mund ta ndihmoni duke dërguar mesazhe në operatorët Vala dhe Z-mobile, në numrin 55244.