USAID do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën
Prishtinë, 14 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli ka pritur të premten shefen e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket me të cilën ka biseduar për situatën ekonomike në vend me theks të veçantë projektet që janë në implementim e sipër në fushat që mbulon MZHE.
Znj. Shauket është interesuar për fazën në të cilën ndodhen projektet e fushës së energjisë, minierave dhe sektorë tjerë në të cilët USAID në mënyra të ndryshme është i involvuar duke dhënë një kontribut të çmuar.
Me këtë rast, Ministri Ismajli e falënderoi znj. Shauket për mbështetjen që institucioni që drejton i ka dhënë Kosovës dhe vazhdon ti japë edhe më tutje, duke vlerësuar lartë kontributin e USAID edhe në projekte konkrete që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ismajli dhe Shauket vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm dhe shprehën gatishmërinë që ky bashkëpunim me po këtë intensitet të vazhdojë edhe në të ardhmen për çka ekziston gatishmëria e dyanshme.