Universiteti i Mitrovicës furnizohet me energji elektrike nëpërmjet paneleve solare
Rektori Musaj, tha se me këtë projekt do të ulen ndjeshëm shpenzimet e energjisë në UMIB. “Jemi shumë të kënaqur me realizimin e këtij projekti dhe do të provojmë që këtë ta zgjerojmë edhe më shumë në kuadër të kampusit universitar”.
Sipas tij, ky projekt e ka modernizuar edhe më shumë kampusin universitar në Mitrovicë. “Ky sistem do të ndikojë në zvogëlimin e faturave mujore të energjisë elektrike, rritjen e stabilitetit energjetik të objektit dhe zvogëlimin e emetimit të gazrave serë në atmosferën lokale.
Prodhimi nga sistemi solar me kapacitet 85.4kWp do e mbulojë një pjesë të konsiderueshme të kërkesës vjetore për energji”.
Ndërsa, drejtori i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besart Hajrizi, tha se ky projekt është financuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), si rezultat i memorandumit të bashkëpunimit me UMIB-in. Sipas tij, përveç ndikimit praktik që ka instalimi i sistemit solar në kampusin universitar të UMIB, ky sistem do të shërbejë edhe për qëllime studimore.
Drejtori Hajrizi, sqaroi se studentët dhe profesorët do të kenë qasje në hapësirat si dhe në projektin e sistemit solar fotovoltaik.