Turqia mbështet përfshirjen e Kosovës në projektin e TAP
New York, 24 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në New York, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtëm të Turisë, Ahmet Davutoğlu.
Hoxhaj dhe Davutoğlu kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, të cilat janë vlerësuar të shkëlqyera në rrafshin politik, diplomatik dhe në fushat e tjera.
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar kontributin që ka dhënë Turqia për shtetin e Kosovës duke qenë një ndër vendet që vazhdojnë përkrahjen e fuqishme në lobimin për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu, ka vlerësuar lartë progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës.
Ministri Davutoğlu ka shprehur përkrahjen e fuqishme të Turqisë për forcimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me theks të veçantë në përmbylljen e procesit të njohjeve.
Republika e Kosovës mbetet prioritet i Turqisë në Evropën Juglindore, ka thënë Davutoğlu, duke vlerësuar rolin e Kosovës në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në këtë takim është biseduar edhe për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), një projekt tejet i rëndësishëm për hartën energjetike të Ballkanit dh Evropës.
Me këtë rast, ministri Davutoğlu ka siguruar ministrin Hoxhaj se Turqia ka përfshirë Republikën e Kosovës në TAP.
Ndërkaq, ministri Hoxhaj edhe njëherë ka theksuar rëndësinë ekonomike dhe gjeopolitike të përfshirjes së Kosovës në projektin TAP. Sipas tij, me gazsjellësin TAP, Kosova bëhet një pjesë e rëndësishme në hartën energjetike të Ballkanit dhe Evropës, derisa në aspektin gjeopolitik i jep shtytje intensifikimit të marrëdhënieve të Kosovës me vendet e rajonit.
Përfshirja e Kosovës në TAP do të krijonte të ardhura vjetore të qëndrueshme. Në rrafshin ekonomik do ti sillte Kosovës diversitet në burimet energjetike dhe padyshim se qytetarët e Kosovës do të kishin çmime më të ulëta të furnizimit me energji nëpërmjet këtij gazi, ka thënë Hoxhaj.