23 Dhjetor 2024

Turqia e Japonia nënshkruan marrëveshje për centralin berthamor

Ankara, 5 maj - Kryeministri turk dhe ai japonez nënshkruan të shtunen në Ankara një marrëveshje ndërqeveritare për ndërtimin, nga një konsorcium franko-japonez, të centralit të dytë bërthamor turk, me një vlerë prej 22 miliardë dollarësh.

Pika më e rëndësishme e agjendës së takimeve të Kryeministrit të Japonisë në Ankara ishte centrali bërthamor që do të ndërtohet në Sinop.

Tema ishte edhe në fokus të takimit të Kryeministrit Erdoan me homologun japonez.

Çështje të tjera që u diskutuan në takim ishin zhvillimet rajonale dhe konkurrenca Stamboll-Tokio për organizimin e Lojërave Olimpike 2020.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe programin zyrtar të vizitës në Ankara e filloi me Forumin e Biznesit Turkojaponez, ku mori pjesë bashkë me Ministrin turk të Ekonomisë, Zafer Çallajan.

Më pas kryeministri Japonez u prit me ceremoni zyrtare nga Kryeministri Erdoan në selinë e Kryeministrisë.

Të dy liderët biseduan gjerë e gjatë për marrëdhëniet dypalëshe, fushat e bashkëpunimit dhe çështjet rajonale.

Por kryefjala me e rëndësishme e vizitës ishte centrali bërthamor që do të ndërtohet në Sinop.

Për centralin nuklear që do të ndërtohet nga kompania japoneze ne Sinol dhe do të kushtojë 22 miliardë dollarë Kryeministri Erdoan kërkoi nga homologu japonez përfundimin sa më shpejt të jetë e mundur të centralit.

Në konferencën e përbashkët të shtypit Kryeministri Erdoan iu përgjigj edhe kritikave që vijnë në lidhje me centralet bërthamore, duke i cilësuat ato si jo të sigurta.

“Në prodhimin e energjisë nukleare përdoren mundësitë që ofron teknologjia më e përparuar. Në bazë të kësaj bëhet edhe investimi. Por jemi të detyruar të mendojmë edhe për probabilitetin e aksidentit, edhe sikur ky probabilitet të jetë një në milion. Kjo është qasja jonë”, nënvizoi shefi i qeverisë turke.

Kryeministri Erdoan foli edhe për projektin “Marmaray”, një tunel nëntokësor që do të kalojë nën ngushticën e Bosforit dhe do të lidhë me rrugë hekurudhore kontinentin e Azisë me atë të Evropës.

Kryeministri turk tha se në realizimin e këtij projekti përfitojnë edhe nga teknologjia japoneze dhe e ftoi homologun japonez të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të kësaj vepre në 29 tetor të këtij viti.

Ndërmjet dy vendeve ekziston një bashkëpunim i shumanshëm, cilësoi Erdoan pasi rikujtoi që Tokio dhe Stambolli janë rivalë në garën për organizimin e Lojërave Olimpike 2020 tha me shaka “tërhiquni nga gara”.

Kurse Kryeministri i Japonisë tha se do të jetë i pari që do ta përgëzojë Stambollin në rast se del fitues, por nuk tha “do të tërhiqemi”.

I njohur si një mik i Turqisë, Abe nga ana e tij duke iu referuar flamurëve të të dy vendeve vuri theksin në miqësinë që ekziston sot ndërmjet dy vendeve.

Kurse në konferencën e përbashkët të shtypit që u organizua pas takimit Abe tha se ndërmjet dy qeverive janë nënshkruar 3 marrëveshje, në zbatimin e të cilave Japonia do të përdorë teknologji të klasit të parë. Një nga këto marrëveshje ka të bëjë me centralin bërthamor që do të ndërtohet në Sinop.

Kryeministri i Japonisë foli edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërsa rikujtoi se edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe Japonia duhet të përmbushin detyrimet që u takojnë në kuadër të procesit të paqes në këtë rajon.

“Një tranzicion i rregullt politik në Siri është i pamundur të realizohet për sa kohë që vendin e drejton Esadi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë më intesivisht në lidhje me këtë çështje”, nënvizoi Shinzo Abe.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)