Turbinat me erë vrasin 500 mijë shpendë në vit
Washington, 26 maj - Industria e energjisë së erës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një arritje e politikës energjitike të Presidentit Barack Obama, ka krijuar probleme për agjencitë e konservimit të jetës shtazore.
Këto agjenci thonë se turbinat me erë janë shkaktare të vrasjes aksidentale të 500 mijë shpendëve në vit, përfshirë këtu edhe shpendë të rallë, por kjo akuzë hidhet poshtë nga industria e energjisë së erës.
Një shqiponjë 14 vjeçare, e quajtur Solomon ka arritur të mbijetojë. Por ajo nuk mund të fluturojë pasi krahu i majtë iu pre nga thikat e një turbine me erë në vitin 2000.
Krahu i saj i majtë ishte prerë nga një prej turbinave. Ajo u gjet në zonën Livermore-Altamont Pass të Kalifornisë dhe kishte mbetur në tokë për rreth një javë, thotë Wendy Winsted, bashkërenduese në Qendrën Sulphur Creek Nature.
Pas rreth një jave në tokë, shqiponja u gjet e dobësuar, kishte etje dhe gati sa nuk kishte ngordhur.
Shqiponja është me fat që është gjallë sot, sepse kur e gjetëm ishte në gjëndje shumë të rëndë, thotë ajo.
Ndryshe nga shqiponjat e tjera të arta, Solomon i mbijetoi një goditjeje në një prej zonave më vdekjeprurëse të industrisë së erës në Kaliforni e njohur si zona Altamont Pass. Mendohet se fermat e erës të ndërtuara atje para disa dekadash vrasin deri në 70 shqiponja të arta në vit.
Fermat e erës po hapen pa pritur në mbarë Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që shpendët ngordhin prej kësaj industrie dhe asgjë nuk po bëhet që këto ferma të hapen në zona të caktuara, shprehet e shqetësuar Kelly Fuller, bashkërenduese e fushatës së energjisë së erës për kompaninë amerikane të mbrojtjes së shpendëve.
Por edhe fermat moderne të erës përbëjnë kërcënim serioz për shqiponjat. Këto ferma kanë turbina me lartësi sa një ndërtesë me 30 kate dhe me shpejtësinë e avionëve. Megjithëse thikat e turbinave duket sikur rrotullohen me ngadalë, ato mund të arrijnë shpejtësinë deri në 270 kilometra në orë, e barabartë me erën e një uragani.
Vrasja e këtyre shpendëve të rrallë nuk është një humbje e thjeshtë, por edhe krim federal, të cilin administrata Obama e ka përdorur për të ndjekur penalisht kompanitë e naftës, kur shqendët janë mbytur në rezervuaret e tyre të mbetjeve, si dhe kompanitë energjitike kur shpendët kanë ngordhur në linjat elektrike.
Por administrata nuk ka gjobitur apo ndjekur penalisht ndonjë kompani të energjisë së erës, madje as ato që vazhdimisht nuk zbatojnë ligjin, përkundrazi, qeveria e mbron këtë industri nga përgjegjësitë, madje mban sekret numrin e shpendëve të vrarë.
Sipas disa llogaritjeve, mbi 573 mijë shpendë vriten çdo vit në fermat amerikane të erës. Statistika të sakta është e pamundur të përcaktohen sepse shumë kompanive nuk u kërkohet të njoftojnë numrin e shpendëve të vrarë prej tyre, madje ekspertët thonë se edhe kur këto kompani japin të dhëna, ato nuk janë të besueshme.
Vrasja e shqiponjave e ka detyruar administratën Obama të bëjë një zgjedhje të vështirë mes mbështetjes së energjisë së erës dhe zbatimit të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit, që mund të ngadalsojë zhvillimin e kësaj industrie.
Ish Sekretari i burimeve natyrore, Ken Salazar, në një intervistë për agjencinë Associated Press para se të largohej nga posti, mohoi se industria e erës ka ndonjë trajtim me preferencë:
Duhet bërë më shumë për mbrojtjen e shqiponjave dhe të shpendëve të tjerë dhe ne po punojmë shumë në këtë drejtim. Ne do të arrijmë të krijojmë një balancë dhe jemi në dijeni të problemit.
Vrasja e pothuajse çdo lloji shpendi përbën krim federal në bazë të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit. Prokurorët federalë i kanë shfrytëzuar këto ligje për të krijuar të ardhura prej dhjetra miliona dollarësh nga kompanitë e naftës dhe të gazit gjatë 5 vjetëve të fundit, por administrata refuzon të pranojë shkeljet.
Ndërkohë, administrata po shqyrton aktualisht një propozim, që mund tu krijonte kompanive të energjisë së erës mbrojtje deri në 30 vjet nga ndjekja penale për shkak të vrasjes së shqiponjave, krahasuar me 5 vjet që kjo mbrojtje është tani.