Tubacioni i gazit rrezikon Evropën me varësinë nga burimet e energjisë ruse
Berlin, 7 nëntor - Shtetet e Bashkuara paralajmëruan aleaten e rëndësishme evropiane, Gjermaninë, mbi kërcënimet në rritje që vijnë nga Rusia, ndërkohë që Berlini përgatitet të shënojë 30 vjetorin e rënies së Murit.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo arriti të mërkurën në Gjermani, një vizitë për të shënuar tre dekadat nga rrëzimi i murit dhe për të nënvizuar atë që zyrtarët e SHBA e quajnë nevojë për vazhdimin e një partneriteti të fortë ndëratlantik.
Takimet e diplomatit të lartë amerikan me udhëheqësit në Gjermani vijnë gjithashtu pak ditë pasi Danimarka hoqi një nga pengesat e fundit ligjore për një tubacion të propozuar të gazit natyror që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, i njohur si Rrjedha Veriore 2.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se SHBA janë të shqetësuara për "sigurinë e energjisë" për partnerët evropianë, duke e quajtur tubacionin e propozuar "kryesisht një mjet politik" të Rusisë dhe "jo një projekt thjesht komercial".
Zyrtari tha se tubacioni në fjalë "rrezikon" përparësitë e sigurisë energjitike, duke i "bërë vendet evropiane dhe aleatët më të varur nga burimet e energjisë të një vendi të vetëm".
Gjermania është konsumatori më i madh i gazit natyror në Evropë dhe varet shumë nga importet. Zyrtarët e atjeshëm nuk u kanë kushtuar rëndësi shqetësimeve amerikane për sigurinë dhe gjeopolitikën.
Në një lëvizje tjetër që shihet si sfidë ndaj paralajmërimeve të SHBA, Berlini nuk po e përjashton firmën Huawei Technologies, shitëse kryesore e pajisjeve të telekomit me qendër në Shenzhen të Kinës, nga pjesëmarrja në rrjetin 5G të Gjermanisë.
"Ne u kemi bërë thirrje të gjitha vendeve, veçanërisht partnerëve dhe aleatëve, të vlerësojnë me kujdes ndikimin afatgjatë nëse lejojnë kompani të cilave nuk mund t’u besohet, të kenë qasje në infrastrukturën e rëndësishme të rrjetit 5G," i tha Zërit të Amerikës zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.
Bruno Kahl, kreu i shërbimit gjerman të inteligjencës, kohët e fundit u tha ligjvënësve se firmës Huawei "nuk mund t'i besohet plotësisht".
Për të zbutur shqetësimet, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka ngulur këmbë në nënshkrimin e një pakti me firmën Huawei, ku të sanksionohet se ajo nuk do të merret me aktivitete përgjimi, ndërkohë që kancelarja ka vendosur ta lejojë kompaninë kineze të marrë pjesë në instalimin e teknologjisë 5G.
Drejtori i Përgjithshëm i firmës Huawei Ren Zhengfei ka thënë se kompania e tij nuk ndan informacione konfidenciale të përdoruesve, duke mohuar se ajo kontrollohet nga qeveria.
Nëntori shënon 30 vjet nga rënia e Murit të Berlinit. Prishja e murit i dha fund Berlini të ndarë, dhe simbolizoi çlirimin e Gjermanisë Lindore, e më vonë të pjesës tjetër të Evropës Lindore, nga sundimi komunist sovjetik.
Zoti Pompeo, i cili dikur shërbente në Gjermani si oficer i ri, do të vizitojë qytetet Grafenwohr, Vilseck, Modlareuth, Leipzig dhe Berlin për të marrë pjesë në përkujtimet e fundit të Luftës së Ftohtë.
Në Leipzig, shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, për të diskutuar mbi partneritetin ndëratlantik përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia, Kina dhe Irani, sipas Departamentit të Shtetit.
Në Berlin, ai do të takohet me Kancelaren Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të folur mbi fushat e bashkëpunimit dhe shqetësimet e ndërsjella.
Zoti Pompeo do të mbajë një fjalim pranë Portës së Brandenburgut "mbi domosdoshmërinë e vazhdueshme për të mbrojtur vendet e lira dhe popujt e lirë", tha Departamenti i Shtetit.