Trump heq kufizimet mbi emetimet e gazeve
Washington, 22 gusht - Administrata e Presidentit Trump propozoi sot një eliminim në shkallë të gjerë të kufizimeve të vendosura në kohën e presidentit paraardhës Barak Obama për emetimet e gazeve nga uzinat e qymyrgurit.
Plani u jep shteteve amerikane më shumë liri veprimi në zgjedhjen e mënyrës së rregullimit të ndotjes që vjen nga uzinat.
Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit deklaroi se një masë e tillë "nxit pavarësinë energjitike". Grupet e mbrojtjes së mjedisit thonë nga ana e tyre se kjo do të dëmtojë luftën kundër ngrohjes globale.
Ky hap vë në shënjestër një ndër përpjekjet e mëdha të ndërmarra nga administrata Obama për të luftuar ndryshimet klimatike, që synonte pakësimin e gazeve që ndikojnë në ndryshimet e klimës dhe të ndotësve të tjerë nga centralet me qymyrguri.