Tranzicioni i Energjisë e vetmja rrugë për sektorin e energjisë në Kosovë
Prishtinë, 27 mars - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mbajti konferencën me titull “Tranzicioni i energjisë në Kosovë: rruga përpara – dialogu në mes të qeverisë dhe shoqërisë civile mbi tranzicionin drejt një të ardhme të qëndrueshme për sektorin e energjisë”.
Kjo konferencë mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), shoqërisë civile dhe palë të tjera të interesuara.
Drejtori Ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi, iu drejtua konferencës me një fjalë rasti, ku theksoi se ‘Rajoni po ballafaqohet me një sfidë kur vjen fjala tek prodhimi dhe konsumi i energjisë elektrike, ku shumica e prodhimit është në termo, por po synojnë të shkojnë tek prodhimi nga burimet alternative të energjisë, të cilat njihen si burime të ripërtëritshme, e këtu po sfidohet edhe Kosova kur vjen fjala tek tranzicioni i energjisë’.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Valdrin Lluka, theksoi që elemente të tranzicionit energjetik si efiçienca e energjisë, rritja e prodhimit nga burimet e ripërtrishme, sigurimi i ngrohjes së qëndrueshme etj., janë në prioritet të politikave të Ministrisë.
“Kosova ka bërë përparim në këto aspekte, mirëpo kemi edhe sfida me energjinë bazë që është qymyri dhe në këtë drejtim prapë se prapë duhet të bazohemi në qymyr për një periudhë tranzitore” tha ai.
Më tutje ai theksoi edhe sfidat e tjera, siç është ajo e bllokimit nga ana e Serbisë dhe mos zbatimi i marrëveshjes së energjisë. Ministri Lluka përshëndeti konferencën duke vlerësuar lartë rolin e dialogut në përcaktimin e prioriteteve dhe implementimin e politikave më të mira për sektorin e energjisë.
Pjesëmarrëse në këtë tryezë ishte edhe znj. Sonja Risteska – Zyrtare e Projekteve për Evropën Juglindore në Agora Energiewende.
Agora është ndër institutet kërkimore lidere në Evropë për tranzicionin energjetik dhe një partnere e çmuar e INDEP në Rrjetin e Tranzicionit të Energjisë në Evropën Juglindore (SE3T.NET).
Znj. Risteska prezantoi të gjeturat e studimit më të fundit rajonal mbi atë se si sistemet energjetike të vendeve të rajonit do të ndikohen nga penetrimit prej 50% i energjisë nga burimet e ripërtrishme deri në vitin 2030.
“Nevojat më të mëdha do të jenë për investime në kapacitete të interkoneksionit dhe integrimit të tregjeve dhe jo të kapaciteteve të reja prodhuese” – tha znj. Risteska.
Në pjesën e diskutimit në mes të dy palëve morën pjesë z. Sabit Gashi – Udhëheqës i Divizionit për Politika Energjetike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Dardan Abazi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP).
Në diskutimet e tij, Gashi paraqiti të arriturat e MZHE-së në fushat e përafrimit të legjislacionit, kompletimit të kornizës strategjike dhe investimeve në fusha që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm.
“Bashkarisht unë mendoj se të gjitha shqetësimet e shoqërisë civile mund t’i adresojmë nëse punojmë së bashku dhe në këtë drejtim jemi shumë të interesuar që shoqërinë civile ta kemi nëpër të gjitha grupet e punës” – tha z. Gashi.
Nga ana tjetër, duke paraqitur pozicionin e shoqërisë civile z. Dardan Abazi nga INDEP theksoi faktin se ka një moskoordinim të theksuar në mes të institucioneve sa i takon fushës së energjisë.
Gjithashtu Abazi foli se si INDEP e sheh tranzicionin e energjisë. “Ne konsiderojmë që duke investuar në efiçiencë të energjisë, duke u larguar nga subvencionimi i qymyrit dhe duke prioritizuar burimet e ripërtrishme të energjisë, ne mund të sigurojmë se nuk po e kompromentojmë tranzicionin energjetik” – tha ai.
Më tutje z. Abazi vlerësoi se koncepti i sigurisë së energjisë nënkupton jo vetëm qasje në energji, por edhe çmime të përballueshme, infrastrukturë, ruajtje të mjedisit dhe politika afirmative. Në fund ai deklaroi se tranzicioni është proces dhe këtij procesi nuk i ndihmojnë investimet miliardëshe në qymyr dhe subvenicionimi i qymyrit.
Diskutimi preku tema si tejkalimi i problemeve teknike për futjen e burimeve të ripërtrishme në rrjetin energjetik, për termocentralin Kosova e Re dhe dëmet që shkakton si në aspektin financiar, ashtu edhe atë mjedisor dhe të integrimit.
Të pranishmit patën rastin të shtrojnë pyetje dhe qëndrime të tyre në lidhje me temën. Ishte përfundim i përbashkët se tranzicioni i energjisë është e vetmja rrugë për mbërritjen e synimeve të integrimit evropian dhe transformimin e plotë të sistemit energjetik deri në vitin 2050.
Kjo konferencë dhe ky aktivitet ishte pjesë e projektit të INDEP “Dialogu i Ballkanit Perendimor për Tranzicionin e Energjisë - WeBET” dhe programit për zhvillim të qëndrueshëm.