Termokosi siguron ngrohje vetëm për QKUK-në
Prishtinë, 28 dhjetor - Në një kumunikatë për opionion, "Termokosi" bënë ditur se "me kohë disa herë sivjet ka paralajmëruar se është në fund të shfrytëzimit të rezervave të saj me mazut, që nga pasditja e djeshme Termokos, nuk është duke furnizuar me ngrohje kryeqendrën.
E gjithë kjo, meqë rezervat e mazutit, kanë shkuar në fund, duke shpenzuar edhe sasinë e fundit të siguruar borxh nga ana e kontaktorit të mazutit, javën e kaluar.
Duke qenë të vetëdijshëm për një situatë të tillë, Termokos do të siguroi ngrohje veçmas për pacientët e QKUK, përmes nënstacionit të veçantë me naftë, i cili gjendet aty.
Sigurimi i naftës bëhet përmes një kontraktori tjetër, në masë 12 mijë litra, duke u futur sërish në borxhe për të siguruar një furnizim vetëm për QKUK.
Një flakërues i nxehtësisë shpenzon 560 litër naftë në orë, kurse të dy flakërusit në nëstacionin e QKUK, harxhojnë bashkërisht në orë 1120 litra naftë.
Ky furnizim me naftë shumëfish i kushtueshëm materialisht, do të thotë sigurim edhe për pak ditë ngrohje për këtë institucion shëndetësor, meqë teknikisht nuk mund të bëhet furnizimi vetëm me naftë për qytetin nga kaldajat e Termokos.
Për të dalë nga kjo situatë, në momentin kur do të sigurohen mjete materiale, përkatësisht inkasim të konsiderueshëm nga ana e konsumatorëve, do të sigurohen sasi të tjera të mazutit për të vazhduar sezonin.
Konsumatorët duhet të kuptojnë njëherë e mirë që Termokos, po punon për sigurimin e lëndës djegëse, po aq sa ka inkasim nga konsumatorët, andaj apelohet për pagesë të borxheve të tyre, si dhe për subvencione shtesë nga institucionet relevante.
Deri në përfundim të sezonit ngrohës 2010-2011 (prill 2011), Termokos-it i duhen edhe rreth 12 mijë ton mazut, ose shprehur në euro, 5milion e 400 mijë euro.
Në ditë të ftohta, bazuar në Diagramin Rrëshqitës mesdhetar, (me të cilën tregohen se me sa parametra duhet të punojnë kaldajat për ngrohje), Termokosit i nevojiten rreth 120 ton mazut për 24 orë, për furnizim stabil me ngrohje.