Termokos rikthen furnizimin me ngrohje
Prishtinë, 19 prill - Ngrohtorja e Prishtinës \"Termokos ka bërë të ditur se pas uljes së temperaturave dhe paralajmërimeve për përkeqësim të mëtutjeshëm të motit, menaxhmenti i NP Termokos SH.A pas konsultimeve me menaxhmentin e KEK-ut, ka marrë vendim, që të rikthejë furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët.
\"Tanimë kanë nisur parapërgatitjet e sistemit dhe rrjetit të ngrohjes për rikthimin e furnizimit me ngrohje.\"
Furnizimi do të fillojë sot në orët e para të mbrëmjes dhe do të vazhdojë për disa ditë me radhë, varësisht nga lëvizja e temperaturave dhe sipas nevojës.
Përndryshe, furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje lejohet me aktet ligjore në fuqi, edhe pas përfundimit ligjor të sezonit ngrohës, varësisht nga kushtet klimatike.
NP Termokos po vazhdon të përmbushë me sukses misionin e vet për të furnizuar me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore konsumatorët, kurdo që kjo do të jetë e nevojshme.