Termokos, probleme me rrjedhje në gypin primar
Prishtinë, 13 dhjetor - Për shkak të një rrjedhje në gypin primar në pasditen e djeshme, në rrugën Robert Doll, gjë që ka shkaktuar humbje të mëdha të ujit, Termokos nuk ka arritur që të startojë sot me ngrohje në orët e hershme të mëngjesit, sikur ditëve të kaluara.
Ekipet tona në teren kanë punuar deri në orët e hershme të mëngjesit dhe kanë arritur të sanojnë defektin, përkundër pozicionit shumë të papërshtatshëm dhe temperaturave të ulëta, që kanë mbretëruar gjatë natës së mbrëmshme.
Një problem shtesë për startimin e furnizimit me ngrohje në orët e hershme të mëngjesit janë duke shkaktuar edhe reduktimet e ujit gjatë natës nga Ujësjellësi regjional Prishtina, të cilat po vështirësojnë procesin e përgatitjes kimike të ujit, që futet në sistemin e ngrohjes.
Përkundër këtyre probleme Termokos ka arritur të rifillojë furnizimin me ngrohje nga ora 10.00.
Ashtu siç edhe kemi paralajmëruar Termokos për shkak të rënies së temperaturave do të furnizojë me ngrohje gjatë gjithë ditës konsumatorët tanë.