Termokos përmbyllë sezonin ngrohës 2015/2016
Prishtinë, 15 prill - Ngrohtorja e qyteti të Prishtinës Termokos ka njoftuar se ashtu siç edhe është e paraparë me Ligjin për ngrohje dhe me planin e furnizimit me ngrohje, sot do të përfundojë sezonin ngrohës 2015/2016.
Sezoni ngrohës 2015/2016 është sezoni më i sukseseshëm, jo vetëm sa i përket fillimit dhe përfundimit të furnizimit me ngrohje sipas afatit ligjor (15.10.2015- 15.04.2016), por edhe për shkak të furnizimit me ngrohje cilësore të pandërprerë përgjatë gjithë sezonit, pa asnjë ditë ndërprerje.
Si rezultat i ngrohjes së mjaftueshme dhe cilësore, që u kemi ofruar konsumatorëve tanë, ka pasur një rrjedhojë shumë pozitive edhe në rritjen e shkallës së inkasimit, e cila në raport me sezonin e kaluar ngrohës është 71 për qind më e lartë.
Suksesi i arritur në këtë sezon ngrohës i dedikohet menaxhmentit dhe punëtorëve të ndërmarrjes si dhe secilit konsumator, që ka paguar me rregull faturat e ngrohjes. Andaj falenderojmë gjithë konsumatorët, që kanë kontribuar në ngritjen e shkallës së inkasimit.
Duke rikujtuar se NP Termokos SH.A, është një nga kompanitë, që ka filluar e para implementimin e Ligjit për faljen e borxheve publike, nga i cili deri më tani kanë përfituar mbi 1.300 konsumatorë, ftojmë gjithë ata konsumatorë, që kanë borxhe ndaj kompanisë sonë, të paraqiten në Shërbimin për konsumatorë për të përfituar nga mundësitë, që ofron ky ligj.
Pas përfundimit të këtij sezoni ngrohës, synim parësor i NP Termokos është realizimi i fazës së tretë dhe të katërt të Projektit të kogjenerimit, ku përfshihen rehabilitimi i rrjetit ekzistues dhe 50 nënstacioneve të ngrohjes si dhe krijimi i kushteve për fillimin e zgjerimit të rrjetit të ngrohjes.