Termokos ndërpret furnizimin me ngrohje
Prishtinë, 26 prill - Ngrohtorja e Prishtinës Termokos Sh.A ka njoftuar se në koordinim të plotë me KEK-un, pas ngritjes së temperaturave në vendin tonë ka marrë vendim, që të ndërpres sot furnizimin e mëtutjeshëm me ngrohje për gjithë konsumatorët e vet.
\"Rikujtojmë se furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje, gjë e cila lejohet edhe me aktet ligjore në fuqi, kishte filluar pas rënies së temperaturave dhe kërkesave të konsumatorëve për vazhdimin e furnizimit me ngrohje\", thekosn Termokos.
Furnizimi me ngrohje ka vazhduar pa ndërprerje për më shumë se një javë, më saktësisht për aq kohë sa kjo ka qenë e nevojshme.
Zgjatja e furnizimit me ngrohje jashtë sezonit të rregull ngrohës, të përcaktuar me aktet ligjore në fuqi, ka ndodhur për herë të parë në historinë e ekzistimit të ngrohtores, ndërkohë që NP Termokos ka marrë shumë falënderime dhe mesazhe inkurajuese nga konsumatorët për ngrohjen e mjaftueshme dhe cilësore, që u kemi ofruar këtyre ditëve të ftohta.
Menaxhmenti i NP Termokos falënderon konsumatorët për mbështetjen e ofruar, në veçanti ata, që janë të rregullt në pagesën e shërbimeve të ngrohjes, me shpresë se edhe sezoni i ardhshëm ngrohës do të jetë po kaq i suksesshëm sa ky sezon, që sapo përfundoi.