Termokos: KEK po na shkakton probleme serioze
Prishtinë, 1 shkurt - Ngrohtorja QendroreTermokoska bërë të ditur se ndërprerjet e kohëpaskohshme të rrymës nga ana e KEK-ut pa paralajmërim, po shkaktojnë probleme serioze në pjesën elektronike në Departamentin e Prodhimit.
Nga e premtja e javës së kaluar kur edhe janë intensifikuar reduktimet e rrymës, direkt kanë shkaktuar dëme në pjesën elektronike dhe si pasojë është dëmtuar rëndë pjesa elektronike për komandim të flakëruesit, thuhet në njoftimin e Temrokos-it.
Një pjesë e tillë elektronike ndikon drejtpërdrejt në cilësisë e ngrohjes që ofrohet nga ky Departament dhe kësisoj problemet teknike ndikojnë negativisht në prodhim.
Termokos beri te ditur se ka adresuar disa herë kërkesa në KEK, që të kenë konsideratë gjatë reduktimeve dhe të lajmërohen paraprakisht përgjegjësit e Termokos, në mënyrë që të bëjnë shkyçjen e pajisjeve elektrike e mos të vie deri të dëmtimi, si ky i fundit.
"Pjesa e dëmtuar për komandim të flakëruesit, derisa të sigurohet nga jashtë në vlerë pesë mijë euro, do të huazohet përkohësisht përmes përfaqësuesit të Flakëruesve SAAKES, nga Ngrohtorja e Shkupit të Maqedonisë."
Përndryshe, menaxhmenti i Termokos, lidhur me faturimin e muajit janar, pasi ka analizuar të gjitha raportet e punës të periudhës 25 dhjetor 2010 deri më 25 janar 2011, lëndën djegëse të cilën e ka shpenzuar gjatë kësaj periudhën si dhe raportet e marra nga leximet e nënstacioneve termike, ka ofruar një zbritje mesatarisht 73% për muajin janar 2011, për të gjithë konsumatorët.
Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve, është 16, 293, 686.85 euro. Nga ky borxh, 13, 571,703 euro i takojnë amvisërisë kurse vetëm për dy sezonit e fundit, borxhi i tyre është 3, 875.749 euro.
Në anën tjetër KEK kundërshton fuqishëm akuzat publike të ndërmarrjes Termokos.
KEK thotë se reduktimet e dhunshme për të cilat akuzon Termokos, kanë ardhur pikërisht pasi KEK-u po detyrohet ta kryej punën që nuk po e kryen kjo ndërmarrje.