Termocentrali Kosova A nis prodhimin
Prishtinë, 7 korrik - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se pas procedurave të filluar që dje, njësia A3 e Termocentralit Kosova A në 05:35 të mëngjesit sot me 07 korrik 2014 është lëshuar në punë.
Në këtë moment njësia A3 është duke punuar pa asnjë problem dhe është duke prodhuar me kapacitet prej 130 MW në prag.
Për sa i përket njësive tjera të Kosovës A, në njësinë A5 janë iniciuar procedurat për kryerjen e riparimeve të nevojshme, ndërsa në njësinë A4 procedura e remontit të rregullt të planifikuar me bilanc vjetor të aprovuar.
Në këtë vijë, brenda një muaji, pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve për sa i përket aspektit të sigurisë së stabilimenteve dhe pajisjeve, testimeve dhe përgatitjeve të ndërlidhura tekniko teknologjike Termocentrali Kosova A, fillon me punë.
Pas tronditjes së pësuar me 6 qershorit të përcjell me humbjen e dy të punëtorëve të devotshëm të Korporatës, sot kemi arritur që të rifillojmë me prodhimin e energjisë elektrike nga njësia A3., deklaroi Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut.
Këtë rifillim të punës, kemi obligim të dedikojmë këtyre dy punëtorëve , si shenjë respekti ndaj punës dhe veprës së tyre, pasi ata me gjithë qenien e tyre deri në frymën e fundit iu përkushtuan me devotshmëri prodhimit të energjisë elektrike për qytetarët e vendit. Në këtë vijë, do të bëjmë çmos që të jemi gjithmonë pranë familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre , tha Gjukaj.
Fatkeqësitë e tilla të paparashikuara janë të paevitueshme në industrinë e prodhimit të energjisë elektrike me impiante gjigante. Në këtë rast, do të bëjmë të pamundurën që të përkrahim gjetjen e shkaqeve pse ka ardhur deri te ky aksident, në mënyrën më transparente dhe më të drejtë të mundshme."
"Në këtë vije, mbesim të përkushtuar në punën tonë dhe në ngritjen e nivelit të sigurisë për të gjithë punonjësit tanë. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin që të falënderoj nga zemra edhe njëherë të gjithë punonjësit e Korporatës për punën e tyre të palodhshme dhe të përkushtuar, por në veçanti dua të falënderoj me respektin më të madh të gjithë punonjësit e termocentralit Kosova A të cilët me punën dhe guximin e treguar bënë të mundur rifillimin e prodhimit nga ky termocentral."
"Gjithashtu, falënderoj shumë të gjithë ata të cilët kanë qenë pranë nesh gjatë kësaj periudhe të vështirë, dhe na kanë përkrahur në çdo moment drejt objektivit tonë për rikthimin e gjendjes së prodhimit në termocentral. shtoi në fund z. Gjukaj.