Termocentralet prodhojnë 1,484 GWh energji elektrike për 3 muaj
Prishtinë, 10 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Bilancin i Energjisë për TM1 2015.
Në këtë publikim janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 (TM1 2015) vlera e përgjithshme e prodhimit të thëngjillit është 1,981.4 mijë tonë.
Në këtë tremujor, sasia bruto e energjisë elektrike e prodhuar në termocentrale është 1,484.3 GWh, kurse në hidrocentrale është 36.5 GWh.
Kurse, sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë kësaj periudhe Kosova ka importuar 293.9 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë (TM1 2015) Kosova ka eksportuar 5.7 GWh energji elektrike. Ndërkaq, sasia e energjisë elektrike në dispozicion të konsumatorëve është 1,071.3 GWh energji elektrike.
Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2014), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është rritur për 11.8 %.