Tensionohet gara për gazin e Kaspikut
Moskë, 23 shkurt - Lufta e ftohtë për kontrollin e burimeve të gazit në detin Kaspik, si edhe rrugët e transportimit të këtij gazi në Europë, u nxeh gjatë ditës së djeshme, pasi konsorciumi Shah Deniz II deklaroi se ka zgjedhur projektin TransAdriatik Pipeline për transportimin e prodhimit të vet drejt Italisë, pavarësisht faktit se qeveritë e Greqisë dhe Italisë kanë mbështetur një projekt alternativ.
Lajmi bëhet i ditur nga disa agjenci lajmesh që mbuluan gjerësisht këtë zhvillim gjatë ditës së djeshme.
Reuters njoftoi se konsorciumi ka vendosur të refuzojë projektin greko-italian ITGI dhe ka hapur bisedime me TAP, ndërkohë që dy projekte të tjera konkurruese duket se po veniten.
AFP njoftoi se gazsjellësi Nabucco, projekti më i rëndësishëm europian i mbështetur gjerësisht nga Franca, mund të jetë pranë braktisjes, ndërkohë që Wall Street Journal njoftoi se Nabucco mund të zvogëlohet në përmasa, por do të vijojë të ekzistojë së paku si projekt.
TAP është projekti i vetëm mes katër konkurrentëve që kalon nga Shqipëria dhe ka mbështetjen zyrtare të qeverisë shqiptare. Nga vendimi i konsorciumit të Shah Denizit, nuk varet vetëm transportimi i gazit të kësaj fushe naftëmbajtëse, por ndoshta varet mënyra e transportit të gazit të të gjitha vendeve të rajonit, duke përfshirë Turkmenistanin, Kazakistanin, Irakun dhe, në rast se situata politike ndryshon, edhe gazi i Iranit.
Deti Kaspik është burimi i dytë i gazit natyror në planet pas fushave të Rusisë. Shfrytëzimi i gazit natyror këtu besohet se do të ndihmojë Bashkimin Europian të ulë varësinë e importeve të gazit nga Rusia. Për këtë arsye, beteja gjatë dekadës së fundit është zhvilluar mes projekteve që synojnë ruajtjen e dominimit rus dhe atyre që dëshirojnë ta thyejnë atë.
Zona gazmbajtëse me këtë emër gjendet në det të hapur pranë brigjeve të Azerbajxhanit. Kjo fushë menaxhohet nga British Petroleum, që ka edhe 25.5 për qind të aksioneve, ndërsa Statoil e Norvegjisë ka po kaq aksione.
Pjesa tjetër është ndarë në kuota nga 10 për qind mes kompanive franceze, italiane, ruse etj. Statoil është gjithashtu kompania që ka nën pronësi 42 për qind të projektit të gazsjellësit TransAdriatik TAP. Kjo lidhje e shkurtër duket se mundësoi përzgjedhjen e TAP si projekti i parapëlqyer nga konsorciumi Shah Deniz II për të transportuar gazin e vet në Europë.
Ndërkohë, TAP ka një konkurrent të fortë dhe një disavantazh. Projekti ITGI, i cili u refuzua nga konsorciumi, është një interes i kompanive greke dhe italiane. Të dyja qeveritë kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët në mbështetje të këtij projekti. I pëlqen apo jo, TAP do të duhet të kalojë nga Greqia dhe të shesë gazin në Itali.
Dje Greqia dhe Italia njoftuan bashkërisht se kanë ndër mend të vijojnë të mbështesin ITGI-në, ndërkohë që kompania greke e gazit DEPA, sipas medias greke që u referohej burimeve të paidentifikuara, ka kërkuar që ti shitet 15 për qind e aksioneve të TAP.
Janë edhe dy konkurrentë të tjerë, të cilët duket se po humbasin terren. Konkurrenti i parë është Nabucco.
Tregu i energjisë në përgjithësi dhe ai i gazit në veçanti është i mbushur me ndërhyrje politike dhe shumë shpesh, kostot e çmimi, luajnë një rol dytësor. Gazi nuk është një mall që mund të blihet në bursë kur bëhet fjalë për sasi të mëdha.
Rreth 95 për qind e naftës nëpër botë shitet me marrëveshje të arritura në bisedime të fshehta mes shteteve. Vetëm 5 për qind shitet në Londër, New York dhe Dubai në treg të hapur. Për gazin, nuk ekziston fare një treg. Marrëveshjet nënshkruhen mes kompanive të mbështetura nga qeveritë përkatëse. Kontrata më e rëndomtë është merre ose paguaje.
Nabucco është një projekt gazi me kapacitet të stërmadh prej 31 miliardë metër kub gaz në vit, ndryshe nga TAP që e ka kapacitetin fillestar 10 miliardë.
I mbështetur zyrtarisht nga Bashkimi Europian, Nabucco u dëmtua fillimisht nga ndërhyrjet masive të Rusisë, që vunë nën kontroll një pjesë të burimeve të Kaspikut dhe më pas nga tradhtia e Gjermanisë, Austrisë e vendeve të tjera, të cilat e panë më të lehtë të nënshkruajnë marrëveshje të reja me Rusinë. Franca mbeti mbështetësja e vetme energjike e Nabucco-s.
Tani, diskutimi është që Nabucco të fillojë të zvogëlohet në përmasa, në krahasim me projektin fillestar, por në rast se TAP ndërtohet, atëherë probabiliteti për ndërtimin e një gazsjellësi të dytë zvogëlohet ndjeshëm.
Rusia u është përgjigjur projekteve të BE-së për largimin nga varësia e saj me dy projekte, të cilat për ekspertët nuk kanë kuptim ekonomik, por kanë kuptim politik. Projekti i parë është propozuar të kalojë në detin Baltik për të anashkaluar Poloninë.
Kur Gjermania dhe Rusia ranë dakord në parim për këtë projekt, Polonia deklaroi se po bëhej fjalë për një marrëveshje të ngjashme me paktin Molotov-Ribentrop, marrëveshja famëkeqe e Luftës së Dytë Botërore që e ndau Poloninë mes gjermanëve dhe sovjetikëve.
Projekti i dytë quhet South Stream dhe synon të dërgojë gaz në Europë përmes një gazsjellësi në Detin e Zi, duke anashkaluar Ukrainën. Turqia dha leje disa ditë më parë, që ky gazsjellës të kalojë në ujërat e saj territoriale.