Tenderi për ndërtimin e TC Kosova e re shpallet në mars
Ai njofton se projekt-dokumentin e miratuar nga Komiteti drejtues tashmë ua kanë dërguar palëve të përfshira në proces për komente, e më pas pritet të bëhet shpallja e interesit. Ministri Beqaj thotë se nëse gjithçka shkon sipas agjendës së qeverisë, deri në fund të vitit mund të shpallet fituesi i tenderit.
Projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike vazhdon të jetë prioritet për qeverinë e Republikës së Kosovës.
Udhëheqësi i Komitetit Drejtues të Projektit Termocentrali Kosova e Re, ministri i zhvillimit ekonomik Besim Beqaj, thotë se Komiteti Drejtues i Projektit ka miratuar në fillim të shkurtit projekt-dokumentet e projektit dhe ka marrë vendim për hapjen e periudhës katër javore për komente nga palët e përfshira në proces, me qëllim të pasurimit të këtyre dokumenteve.
Ai thekson se tenderi mund të shpallet gjatë muajit të ardhshëm.
Besojmë që shumë shpejt, është çështje javësh pasi ti marrim komentet, komentet përfundojnë me datën 28 shkurt, pastaj pas trajtimit të këtyre komenteve, harmonizimit të dokumentacionit edhe me Bankën Botërore, që është akter shumë i rëndësishëm edhe me institucionet tjera ndërkombëtare, besojmë se shumë shpejt, brenda marsit do ta shpallim tenderin, tha Beqaj për Radio Kosovën.
Ministri Beqaj thotë se pavarësisht zvarritjes së këtij projekti, kanë arritur të ruajnë interesimin e investitorëve të huaj për të marrë pjesë në këtë proces.
Ajo që është shumë me rëndësi se tani kemi investitorë të cilët e kishin humbur besimin më herët në këtë proces, tani janë rikthyer, kemi dy kompani që janë rikthyer në mënyrë të plotë, është kompania PPC bashkë me Global nga Amerika, kemi Parkun dhe gjatë këtyre ditëve kemi komunikim të intensifikuar me Contourin që gjithashtu janë të interesuar për të vazhduar procesin, por mbetet që në një periudhë të ardhshme ta konfirmojnë edhe këta me shkrim, theksoi ai.
Ndonëse kundërshtimet nga shoqëria civile vazhdojnë, ai thekson se ndërtimi i Termocentralit të ri është i domosdoshëm për mbylljen e termocentralit Kosova A, siç është planifikuar deri në vitin 2017.
Unë besoj se edhe shoqëria civile, edhe të gjithë kanë interes që sa më shpejt ta ndërtojmë termoelektranën e cila është e përcaktuar të respektojë standardet më të larta të ambientit, dhe kjo do të na mundësonte që të mbyllim Kosovën A. Pra është me interes të të gjithë qytetarëve që ta mbyllim Kosovën A sa më shpejt dhe rruga për mbylljen e Kosovës A është krijimi i kapaciteteve të reja, të cilat do të mundësonin Kosovës jetë normale me energji elektrike, tha Beqaj.
Me këtë projekt parashihet zhvillimi i minierës së linjitit në Sibovc dhe ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re që fillimisht do të ketë 300 megavat.
/rtk/