Të pezullohen urgjentisht punimet në ndërtimin e hidrocentraleve Shtërpcë
Derisa, jeta dhe veprimtaria në shumë lëmi ka pushuar për shkak të pandemisë, kompanitë private sipas koalicionit Pro Open janë duke vazhduar në heshtje përfundimin e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.
"Ne, organizatat e shoqërisë civile të koalicionit Pro Open, shprehim zhgënjimin e thellë me qeveritë e kaluara dhe me qeverinë në detyrë, të cilat asnjëherë nuk i kanë trajtuar me seriozitet thirrjet për ndalimin e degradimit të ambientit dhe varrosjen e lumit Lepenc."
"Pushtetarët pa dallim, për më tepër kanë injoruar zërin e ngritur nga qytetarët përmes protestave si zërin e shoqërisë civile në mbrojtje të resurseve natyrore dhe ndalimin e abuzimit me ujin, të cilat edhe në këto ditë të pandemisë po shkatërrohen me intensitet të lartë të punimeve edhe në zonën turistike të Brezovicës, pjesë integrale e Parkut Kombëtar “Sharri', vlerëson koalicioni Pro Open .
Qytetarët e Shtërpcës dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, vazhdimisht kanë prezantuar argumente dhe fakte se si lumenjtë, ambienti dhe popullata që jeton në afërsi të tyre po shkatërrohen dhe degradohen në pakthim nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla.
"Ne, theksojmë se i gjithë potenciali qytetarë është vënë në lëvizje për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, të cilat kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në mjedis si dhe për të mbrojtur potencialin tonë zhvillimor, ndërkaq institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të dëgjuar vullnetin e qytetarëve me qëllim të evitimit të pasojave, mbrojtjes së ambientit dhe resurseve ujore."
"Ne, ju rikujtojmë se sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla, në hapësirat e parqeve kombëtare dhe zona turistike me potencial zhvillimor, që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, dhe shumë dëme të tjera", thekson koalicioni Pro Open.
Për këto arsye, organizatat e koalicionit Pro Open kërkojnë nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës që urgjentisht të marrin vendim që të pezullohen punimet në ndërtimin e mini hidrocentraleve dhe hidrocentraleve të vogla në zonën e komunës së Shtërpcës.
"Ne, organizatat e shoqërisë civile, kërkojmë që në asnjë formë të mos ndërmirret asnjë veprim në drejtim të punimeve në këto hidrocentrale, derisa të rishikohen të gjitha dokumentet relevante të institucioneve përgjegjëse në lidhje me ndërtimin e mini hidrocentraleve dhe hirocentrale të vogla si dhe derisa të definohet qartë interesi publik në lidhje me mbrojtjen e ambientit, lumenjëve, jetës së qytetarëve dhe këtyre projekteve të hidrocentraleve", deklarojnë në fund koalicioni Pro Open .
Organizatat përkrahëse:
Iniciativa për Progres (INPO)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Demokraci Plus (D+)
Çohu
FOL
Instituti Riinvest
Ec Ma Ndryshe
Environmentally Responsible Group (ERA)
OJQ Gjethi
Kosovo Advocacy and Development Center (KADC)