TC Kosova e Re vazhdon me ofertuesit e para-kualifikuar
Prishtinë, 12 nëntor - Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) TC Kosova e Re, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka mbajtur sot takimin e radhës ku u diskutuan aspekte të ndryshme rreth projektit dhe hapat që duhet ndërmarrë.
Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të Bankës Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, USAID, Komisioni Evropian, KfW, KEK, KOST dhe grupi punues i Qeverisë për Projektet e Energjisë.
KDP TC Kosova e Re u informua nga Këshilltari i Transaksionit rreth gjendjes aktuale të Projektit, statusi i ofertuesve të para-kualifikuar, zhvillimet tjera rreth Projektit si dhe u prezantuan hapat që duhet ndërmarrë për zhvillimin e Projektit.
Këshilltari i Transaksionit propozoi opsionet për vazhdimin e Projektit me ofertuesit e para-kualifikuar duke siguruar një proces transparent dhe konkurrues.
Po ashtu KDP u informua për çështje të tjera të Projektit siç janë: çështjet mjedisore dhe sociale, zhvillimi i minierës, palët kontraktuese për marrëveshjet e projektit, kornizën fiskale aplikueshme në projekt, si dhe shqyrtimin e opsioneve të ndryshme rreth modaliteteve për zhvillimin e mëtejshëm të Projektit.
Në këtë kuptim, KDP-ja ka trajtuar parimet e ri-strukturimit të Projektit me qëllim që të sigurohet se ky projekt të jetë në përputhshmëri me zhvillimet në tregun e energjisë, çmimet e termocentralit të jenë sa më të përballueshme për qytetarët e Kosovës, dhe përzgjedhja e investitorëve të bëhet në një formë konkurruese. Parimet kryesore të cilat janë trajtuar përfshijnë:
· Termocentrali do të zhvillohet në bazë të Industrial Emissions Directive dhe teknologjitë më të mira në dispozicion, që janë standardet më të lartë të aplikueshëm në Unionin Evropian.
· Paketa tenderuese të përfshijë vetëm ndërtimin e termocentralit me 2 njësi të rangut 300MW. Kompania e minierës të vazhdojë të jetë ndërmarrje publike.
· Procesi i ofertimit të zhvillohet në dy faza, ku fillimisht do të përzgjidhet investitori dhe pastaj ndërtuesi i impiantit.
· Largimi i disa prej detyrimeve fiskale gjatë importit dhe ndërtimit, duke pas parasysh se këto lirime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e çmimeve më të lira.
KDP i ka komunikuar këto parime tek investitorët e para-kualifikuar, dhe pritet që në javët në vijim të merren informata dhe komente shtesë nga investitorët.
Në bazë të atyre komenteve, KDP pritet që të rekomandojë për vendimmarrje në Qeveri përderisa është e përkushtuar që të zhvillojë një proces transparent që siguron oferta konkurruese.