TAP, projekti fitues i gazit nga Azerbajxhani në Europë
Athinë, 27 qershor - Konsorciumi i \"Shah Denizit\" përzgjodhi TAP, si projektin më të mirë i cili do të përcjellë gazin natyror nga Azerbajxhani në Europë. Lajmin e ka konfirmuar gazeta prestigjioze greke Kathimerini.
Aksioneri i madh i konsorciumit \"Shah Denizit\" ka informuar për këtë zgjedhje kryeministrin grek Antonis Samaras në takimin e tyre në mesditën e së mërkurës. Ndërsa të premten përfaqësues të konsorciumit të \"Shah Deniz-t\" do të vizitojnë Tiranën, për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me qeverinë shqiptare.
Lajmin e përforcon edhe gjiganti austriak i energjisë OVM i cili thekson se është hedhur poshtë plani i gazsjellësit NABUKO nga investitorët e programeve energjetike në Europë.
Qeveria greke dihet që ka mbështetur projektin e gazsjellësit TAP qysh në fillim ashtu si edhe Shqipëria dhe Italia tre vende nga të cilat do të kalojë ky gazsjellës gjigant.
TAP është i vetmi projekt që prek territorin e Shqipërisë dhe sipas përditshmërisë ndërtimi i tij do të sjellë miliarda lekë investime si dhe mijëra vende të reja pune.