TAP nis transportin e gazit në Evropë
Romë, 18 mars - Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njoftoi se një sasi prej 10 miliardë metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë në Evropë, nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi-Turqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).
Nga sasia e përgjithshme rreth 8.5 miliardë metër kub janë dërguar në Itali. Drejtori Menaxherial i TAP-it Luca Schieppati, tha se “10 miliardë metër kub është një arritje simbolike, por shumë e rëndësishme”.
Sipas tij “prej rreth një viti aktiviteti tregtar, TAP-i ka ofruar shërbim efikas, të vazhdueshëm dhe të besueshëm duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë.
Zoti Schieppati ka pohuar se aktualisht është mundësia të arrihet kapaciteti i plotë i transportit prej 10 miliardë metër kub në vit dhe mund të shtohen më tej kapacitetet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër.
Ndërsa Drejtoresha Komerciale e TAP-it Marija Savova tha se “Transportimi i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliard metër kub në Evropë, rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP-it si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Evropë”.
Ajo tha se brenda 45-65 muajve, mund të dyfishohet kapacitetit duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliardë metër kub në bazë të kërkesave.
Sipas kompanisë TAP segmenti evropian i korridorit jugor të gazit, ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metër kub gaz në vit në disa tregje evropiane.
TAP transporton gaz natyror nga fusha e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë.
Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore. TAP-i pritet të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm.
Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.
TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike.
Në Shqipëri Presidenti Ilir Meta e përshëndeti vendimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.
“TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me qeverinë e Azerbajxhanit”, deklaroi Presidenti Meta.
Sipas tij “përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rrit ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus”./ Marrë nga VOA