Tahiri: Priten zgjidhje për lëvizjen e lirë e energji
Bruksel, 17 maj - Shefja e ekipit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se në raundin e katërt të bisedimeve që filloi sot mund të priten rezultate në të paktën tri fusha.
Rezultate substanciale në çështjet e dialogut presim në lëvizjen e lirë, në tregtinë e lirë dhe në çështjet e energjisë. Këto janë tri fusha të mëdha, ku të dy delegacionet kanë punuar me përkushtim dhe jemi në një fazë ku në këto dy ditë do të dalë një kornizë e marrëveshjes për këto tri çështje, tha Tahiri para fillimit të takimit.
Në anën tjetër, homologu i saj serb, Borko Stefanoviq, është shprehur optimist për zgjidhje në tema si kadastri e regjistri civil.
Kryenegociatori serb, Stefanoviq, ka thënë se në raundin e katërt të bisedimeve me Prishtinën që ka nisur sot, mund të mbyllen temat si ato për kadastrin, regjistrin civil dhe lëvizjen e lirë.
Jemi këtu për të gjetur zgjidhjen dhe jam optimist se do të gjendet vendimi i duhur që është i bazuar në kompromis. Ne duhet ti zgjidhim disa nga çështjet që tashmë janë hapur. Ne jemi të gatshëm dhe propozimet tona janë shumë kreative, ka thënë para takimit, Stefanoviq.
Ai ka thënë se respektojmë faktin se ne dhe Prishtina kemi qëndrime krejtësisht të kundërta për statusin, por këto probleme duhet të zgjidhen për të mirën e njerëzve.
Raundi i katërt i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet si zakonisht në Bruksel.
Kësaj radhe do të diskutohen temat që tashmë kanë qenë pjesë e dialogut gjatë tre raundeve të para, megjithatë, sipas qeverisë së Kosovës, do të shtohen edhe temat e trashegimisë kulturore dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve.