Strategjia e Energjisë 2013-2022, prioritet efiçienca
Prishtinë, 18 dhjetor - Në draftimin e Strategjisë së Energjisë 2013-2022 është bërë një punë mjaft voluminoze, normalisht ka pasur edhe dilema në segmente të caktuara, të cilat është dashur të qartësohen në mënyrë që Strategjia të shpreh të mundshmen e asaj që do të bëhet në dhjetëvjeçarin e ardhshëm në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, ka thënë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri sot gjatë debatit publik për Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës- 2013-2022, ku morën pjesë drejtues të MTI, MMPH, KEK-ut, KOSTT-it, ZRRE-së donatorëve, shoqërisë civile dhe palë tjera të interesit.
Ministri Ismajli tha se janë bërë konsultime ekstensive me palët e interesit, me donatorë, me institucione financiare ndërkombëtare dhe tani edhe me një pjesë të shoqërisë civile dhe në bazë të obligimit që kemi po bëhet një dëgjim publik.
Na kanë ardhë edhe komente dhe shumica e komenteve janë inkorporuar në draftin e fundit sidomos ato që kanë ardhë prej donatorëve, prej institucioneve financiare ndërkombëtare, por edhe prej një pjese të shoqërisë civile. Është segmenti kryesor i cili do të akceleroj edhe në zhvillimet ekonomike të sektorëve të tjerë sepse çdo investim qoftë i jashtëm, qoftë i brendshëm, në rend të parë kërkon të ketë siguri të furnizimit me energji elektrike në vend me çka e përmbush një ndër kriteret kryesore për investime, tha ai.
Ismajli tha se deshëm apo sdeshëm ne duhet që mbi bazën e parimeve ekonomike të shohim cilat janë burimet më të përshtatshme për furnizim me energji elektrike dhe njëkohësisht të plotësojmë kriteret mjedisore që është edhe obligim që Qeveria e Kosovës e ka marrë nga paketa e tretë, ato që janë të implementueshme dhe normalisht duhet të jemi komplementar me direktivat mbi emetimin e gazrave industriale dhe Aqui Communautaire për ambientin dhe energjinë në anën tjetër.
Drafti që qëndron para jush ka një dallim në qasje si është bërë. Keni vërejt se nuk ka shumë shifra, nuk ka shumë vite aty sepse kemi konsideruar që ti përmbahemi definicionit çka është Strategji dhe ta dallojmë nga ana tjetër se çka është planifikim.\"
\"Dhe mu për këtë aty mungojnë shifrat, te pjesa e tjetër e cila do ti definojë numrat e pritshëm qoftë në aspektin e kapaciteteve, qoftë në aspektin e numrave të burimeve të mundshme të gjenerimit të energjisë elektrike si nga BRE apo burimet konevncionale, të cilat në rastin tonë kanë të bëjnë me thëngjillin, por nga një lexim i vëmendshëm i këtij dokumenti vëren se për periudhën dhjetëvjeçare para nesh, vëmendje e posaçme por mund të them edhe prioritet i kushtohet efiçiencës së energjisë, tha Ministri.
Sipas tij, investimi me efiçiencën e energjisë nuk do të ndikojë në rritjen e tarifave të energjisë elektrike çfarë është rasti me BRE, përkundrazi ka efektin tjetër. Ismajli shtoi se është filluar me zbatimin e tarifave stimuluese dhe ZRRE ka marrë vendim për tarifat e Erës që është 8.5 euro për kW/h, ndërsa tanimë janë duke punuar për metodologjinë e përcaktimit të tarifave tjera të BRE-ve siç janë energjia nga dielli, biomasa etj, që parashihen të përfundojnë në vitin 2014 me çka krijohet një ambient i përshtatshëm për investime në BRE.
Në anën tjetër në fushën e EE-së kanë filluar projekte konkrete përmes iniciativës së Ballkanit Perëndimor, Bankës Botërore, KfW dhe së fundi është aprovuar edhe kredia 16 mil dollarë prej BB për ngritjen e EE-së në objektet publike.
Plani për vitin e ardhshëm është që të bëhet një Studim gjithëpërfshirës për mundësitë e lehtësimit të gjitha projektet që kanë të bëjnë me efiçiencë dhe ato përfshijnë lehtësira fiskale për materiale dhe produkte që kanë certifikatën e EE-së dhe do të punohet në Ligjin e Ndërtimit ku do të specifikohen materialet dhe produktet të cilat janë në harmoni me kërkesat për certifikatën e energjisë, tha Ministri.
Ai shtoi se janë bërë biseda me banka apo institucione financiare që të mbështeten bankat komerciale për kredi të buta me rastin e implementimit të projekteve që përdorin materiale dhe produkte që garantojnë një EE që si rezultat ka kursimin e energjisë.
Sipas kreut të MZHE-së, krejt ky studim do ti përfshijë dhe do të japë më saktë efektin financiar në Buxhetin e Kosovës në një anë, nëse ne do të konsiderojmë lehtësira fiskale dhe në anën tjetër benefitet që kthehen në sektorin e energjisë që arsyeton këto masa stimuluese.
Në anën tjetër bazë e sigurimit të energjisë elektrike mbi të cilën mund të përmbushim kriterin e furnizimit stabil në vend edhe më tutje mbetet thëngjilli, pavarësisht zhvillimit të projekteve të BRE dhe EE.
Ismajli vuri në dukje se EE do të ndikojë që kapacitetet e gjeneratorëve nga thëngjillit të jenë më të vogël, por nuk mund ti ikim shfrytëzimit të burimeve konvencionale, aq më pak kur dihet se në rastin e Kosovës, thëngjilli ka përparësi komparative dhe është burimi më i lirë i energjisë elektrike, derisa me rezerva vendi renditet i 5-ti në Botë dhe me kushtet e eksploatimit ndër të parët.
Mirëpo është shumë me rëndësi që gjeneratorët që planifikohen të ndërtohen në Kosovë të jenë me eficiencën më të lartë të mundshme, të jenë në harmoni të plotë me direkrtivat e BE-së për emetimin e gazrave industriale dhe të aplikojnë tekonologjitë më të mira të mundshme, tha ai.
Sipas të parit të MZHE-së, paralel me këtë, në Strategji parashihet ndikimin në një optimizim të mëtutjeshëm të shfrytëzimit të energjisë me çka në mënyrë direkte apo indirekte ndikohet në mjedis, e që vlerësohet te jetë hapja e tregut regjional.
Duke parë vonesat që po ndodhin jemi shumë afër marrëveshjes me Shqipërinë për ndërtimin e tregut të përbashkët, që nënkupton një punë e paralele e dy sistemeve, optimizim shumë të madh. Ky është projekt për të cilin ekzistojnë termat e referencës dhe për këtë ka interesim të donatorëve, tha Ismajli.
Ai këtë e ka ilustruar me valorizimin e energjisë së prodhuar nga thëngjilli në Kosovë në orët jashtë pikut dhe valorizimin e vërtetë të orëve të pikut kur vijnë në shprehje hidrocentralet që ndodhen në Shqipëri.
Në fund, Ministri Ismajli është ndalur edhe te komponenta e BRE-ve, me çrast tha se kanë filluar ndërtimi i disa hidrocentraleve të vogla dhe të mesme e që janë projektet para që po jetësohen te ne dhe që çojnë drejt përmbushjes së obligimeve që kemi marrë në fushën e Burimeve të Ripërtritshme, gjithashtu të Efiçincës së Energjisë dhe me to Kosova është në hap me obligimet që kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare/BE për të plotësuar standardin 20:20:20.