Stavileci: Ndërtimi i TC Kosova e Re nuk ka alternativë
Prishtinë, 10 prill Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka bërë të ditur sot se Komiteti Drejtues i Projektit të TC Kosova e Re, pas vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare nga këshilltari i transaksionit dhe ai strategjik, i ka dhënë dritën e gjelbër ofertuesit me çka kalohet në fazën e bisedimeve të drejtpërdrejta me të për definimin e çështjeve të hapura.
Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri gjatë një konference për media ku prezantoi prioritet e Qeverisë për sektorin e energjisë, ku të parin e renditi ndërtimin e TC Kosova e Re, për të cilin tha se është i domosdoshëm për sigurimin e furnizimit me energji, respektivisht zhvillimin ekonomik të vendit.
Pas diskutimeve me ofertuesin për çështjet e hapura, marrëveshja e arritur do të kalojë në Komitetin Drejtues të projektit, në Qeveri dhe pastaj varësisht prej çështjeve që janë të precizuara edhe në Kuvendin e Kosovës, tha ministri Stavileci, duke shtuar se çështjet të cilat duhet të diskutohen janë çështja e garancive, norma e brendshme e kthimit dhe fondi për zhvillimin e komunitetit.
Sipas tij, është pozitiv fakti se ofertuesi në pjesën e propozimit të tij, nga fondet vetanake do të investojë 1/3 e vlerës së projektit, derisa 2/3 vlerës tjetër do të siguroheshin nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga kreditorët e ndryshëm komercial.
Ministri Stavileci tha se ka një përparim në dinamikën e projektit, e cila varet edhe nga akterët e tjerë që mbështesin atë si BB, BERZH e institucione ndërkombëtare financiare, të cilat përveç kredive, mund të mbështesin projektin edhe në formë të garancive.
I pari i MZHE-së përsëriti se krahas ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese do të respektohet rregullativa e BE-së, caku 20:20:20, ndërkaq nënvizoi se procedurat e projektit Kosova e Re janë konfrom praktikave ndërkombëtare.
Ministri Stavileci ka theksuar se me Strategjinë e Energjisë 2015-2024 pas ndërtimit të TC Kosova e Re, si prioritete janë edhe dekomisionimi i TC Kosova A, tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri, liberalizimi i tregut të energjisë, investimet ne BRE dhe EE.