Sot mbahet protestë kundër shtrenjtimit të rrymës
Prishtinë, 25 shkurt - Organizatorët e protestave kundër shtrenjtimit të rrymës, kanë ftuar qytetarët t'i bashkohen në një protestë, e cila do të mbahet sot përballë objektit kryesor të Korporates Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë.
Protesta sipas organizatoreve është ftuar për shkak se KEK-u edhe më tej po vazhdon me shkyçjen e konsumatorëve ndaj të cilëve KEK-u ka faturuar paushall, dhe ndërkohë pritet rritja e tarifave të rrymës në muajin prill.
Reagimi i organizatorëve ka ardhur edhe pas publikimit të raportit të ZRRE-së, i cili konfirmon edhe njëherë shkeljet që i ka bërë KEK-u ndaj konsumatorëve të saj.
Njëri nga organizatorët e protestës, Viktor Zeneli, ka thënë se edhe në protestën e së hënës kërkesat do të jenë të njëjta, por më të rëndësishmet, sipas tij, janë mosshkyçja e qytetarëve nga rrjeti elektrik deri në shqyrtimin e të gjitha ankesave dhe mosngritja e çmimit të rrymës.
Duke e pasur parasysh raportin e ZRRE-së shihet qartë se ka pasur shkelje dhe fryrje të faturave. Presim se do të na bashkohen shumë qytetarë. Kemi përkrahjen edhe nga disa organizata joqeveritare. Protesta do të jetë e qetë, ndërsa koha mbetet e njëjtë, në orën 12:00 para ndërtesës qendrore të KEK-ut, ka thënë Zeneli.
Sipas tij, protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa në rast të mos realizimit të këtyre kërkesave, Zeneli thotë se do të ndjekin rrugët tjera. Nëse jo me protesta atëherë do të ndërmarrim edhe hapa tjerë siç është mbledhja e 10 mijë nënshkrimeve përmes një peticioni me qytetarë, e që më pas do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë ai.
Edhe Zyra e Rregullatorit për Energji pas një hulumtimi kishte konstatuar se faturat e janarit nga KEK-u ishin në dëm të qytetarëve.
Në bazë të raportit që kryetari i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Enver Halimi, i kishte dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, thuhet se KEK-u ka obligim ligjor që të raportojë çdo parregullsi, ose mosplotësim të kushteve që janë parashikuar me rregullat dhe procedurat e aprovuara nga ZRRE-ja, për të gjitha aktivitetet për të cilët është licencuar kjo kompani.
Më tej, në raport thuhet se KEK-u nuk ka raportuar asnjë parregullsi në faturim dhe lexim të njehsorëve, andaj sipas tij, pakënaqësitë e shprehura të konsumatorëve dhe situata e krijuar lidhur me faturimet kanë qenë indikator i mjaftueshëm që ZRRE-ja të përgatitë një raport për Qeverinë, Kuvendin, Bordin dhe drejtorin menaxhues të KEK-ut.
Sipas Halimit, procedura e leximit dhe faturimit tarifor të konsumatorëve, e aprovuar nga ZRRE-ja, leximi i njehsorëve duhet të përfshijë periudhën njëmujore të shpenzimeve të energjisë, por jo edhe periudhë më të gjatë siç ka vepruar KEK-u.