Sllatinës i kthehet optimizmi
Vushtri, 15 maj - Sllatina e Vushtrrisë tash ka edhe një trafo me rrjet të ri. Kjo ka rregulluar tensionin e energjisë elektrike për qindra qytetarë të pjesës lindore të Vushtrrisë
Kur lëshohen pompat e ujit në Sllatinë të Vushtrrisë, shikimi i të riut Egzon Zeneli, nuk drejtohet më nga poçi elektrik, pasi drita e tij nuk zbehet më. Pas vendosjes së trafos së re, gjendja është rregulluar. Përnjëmend KEDS-i ka bërë punë të mirë. Ky ishte problem i madh për ne, por tash gjendja është perfekte, thotë Zeneli.
Ky fshat, që mund të konsiderohet edhe si paralagje e pjesës lindore të Vushtrrisë, ka pasur një bum ndërtimesh paslufte. Shtëpitë vazhdojnë të ndërtohen me të madhe edhe kohën e fundit. Kjo kishte bërë që rrjeti ekzistues të mos mund ta përballonte kërkesën. Sllatinasit kishin kërkuar në vazhdimësi trafo dhe pajisjet tjera të energjisë elektrike që nga paslufta, por ajo nuk u kishte ardhur. Në këtë situatë, ishin gjendur si kishin mundur, duke shtrirë një rrjet të dobët mbi 2 kilometra të gjatë me mjetet private. Përkundër investimit vetanak, ai rrjet nuk mjaftonte.
Kjo kishte bërë që ta humbnin besimin se gjendja do të rregullohej. Por, KEDS ua ktheu optimizmin.
Vendosja e trafos së re disa metra larg shtëpisë së tij e ka gëzuar edhe ish- drejtorin e shkollës, tash pensionistin Enver Zymberaj. Nuk mund të përdornim asnjë pajisje elektrike. Tash mund ti përdorim të gjitha. Falënderoj KEDS-in nga zemra për këtë investim, shprehet Zymberaj.
Ai shëtit pranë trafos së re lirshëm me nipin e vogël trevjeçar, Erionin, pa brenga të sigurisë. Ka pasur shumë tela në shtyllat elektrike. Tash ato janë larguar dhe kjo na bën të ndihemi edhe më të sigurt, thotë Zymberaj.
Ky investim ishte bërë pas identifikimit të Sllatinës së Vushtrrisë si vendbanim me rënie të tensionit. KEDS nuk qëndroi indiferent, por menjëherë veproi duke zgjedhur problemin për 80 shtëpi ku banojnë qindra qytetarë. Vendosëm trafon prej 160 kVA. Kjo trafo është e mjaftueshme për këtë pjesë. Bashkë me rrjetin e ri është rritur edhe kualiteti i shërbimeve, edhe siguria e furnizimit me energji elektrike, thotë Rafet Ahmeti, koordinator i prishjeve në Vushtrri.