25 Dhjetor 2024

S’ka tarifa të reja të energjisë

Prishtinë, 5 prill - Energjia elektrike në Kosovë do të vazhdojë të tariforet me tarifat me të cilat gjatë gjithë sezonit të dimrit u cilësuan dhe vlerësuan si të larta.

Tani kur ka kaluar data e 1 prillit, kur ishte thënë se do të dilet me tarifa të reja, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton se është duke zhvilluar procesin e shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas ZRRE-së, ky proces nënkupton përcaktimin e të hyrave maksimale që kompanitë e licencuara: KEK, KOSTT dhe KEDS, të lejohen të mbledhin nga tarifat e energjisë elektrike të konsumatorëve të rregulluar.

Kjo ngecje ka ndodhur sipas zyrtarëve të ZRRE-së, pasi që janë duke vlerësuar kërkesat që kanë shtruar kompanitë e licencuara për kostot që do të lejohen të mbulohen nga tarifat e reja.

“Kjo do të jetë përshtatja e parë vjetore e përcaktimit afatgjatë të tarifave të energjisë dhe është një proces teknik që kërkon vëmendje të shtuar për shkak të nivelit të lartë të kompleksitetit të llogaritjeve”, ka thënë Adelina Murtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRRE.

Sipas Murtezaj, Kosova është vendi i parë në rajon që aplikon këtë metodologji të rregullimit të sektorit që mundëson rritje të efikasitetit operacional. Murtezaj nuk ka dhënnë ndonjë datë se kur do të dalin me tarifa të reja.

Ajo ka thënë se ZRRE do të dalë me tarifa të reja vetëm atëherë kur të sigurohen që tarifat e energjisë të mbulojnë vetëm koston e arsyeshme.

“Vetëm atëherë kur sigurohemi që tarifat e energjisë të mbulojnë vetëm kosto të arsyeshme dhe të domosdoshme për operimin efikas të sistemit energjetik. Prandaj, ZRRE ua bën me dije konsumatorëve se vonesat në përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara do të sigurojnë një përcaktim sa më të saktë të tarifave për shërbimet e energjisë elektrike”, ka shtuar Murtezaj.

Po ashtu ZRRE, ka bërë të ditur se tarifat e konsumatorëve të energjisë elektrike , nuk do të ndryshojnë pa aprovimin e kësaj zyre, dhe nga 1 prilli 2014 do të aplikohen tarifat verore.

Pakënaqësitë e qytetarëve në lidhje me çmimin e faturave për muajin dhjetor, kishin shtyrë KEDS-in të ndërmarrë një hap duke krijuar trupin punues për t’u marrë me të gjitha ankesat e konsumatorëve të energjisë elektrike.

Trendi i rritjes së qytetarëve drejt sporteleve kishte bërë një presion te KEDS që të mendonte që të ndryshojë strukturën tarifore.

Guri Shkodra, zyrtar për informim në KEDS, ka thënë se nuk kanë ende informata nga ZRRE-ja se çka është duke ndodhur me reformimin e strukturës tarifore.

Ai ka përsëritur se struktura aktuale tarifore krijon paqartësi për konsumatorë dhe si e tille duhet të reformohet. Sikurse në këtë janar edhe në janarin e vitit të kaluar si pasojë e faturave të larta të energjisë elektrike, shumë qytetarë protestuan në shenjë pakënaqësie.

Çështja e faturave kishte ngritur edhe debat në Kuvend të Kosovës, ku edhe u themelua një komision hetimor parlamentar.

Ky komision hetimor kishte nxjerrë një raport ku thuhej se problemi i faturave të KEK-ut për muajin janar 2013 u shkaktua nga njehsorët e rinj, gabimet në lexim të tyre dhe tarifat e larta ndaj konsumatorëve të bllokut të tretë.

Pas të gjitha këtyre ngjarjeve ZRRE kishte dal haptas se me datën 1 Prill 2014 do të dal me tarifa të reja, gjë e cila nuk ndodhi.

/Zëri/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)