Situata me ngrohje do të jetë edhe më e mirë gjatë këtij viti
Prishtinë, 23 shtator - Sot kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vizitoi ndërmarrjen publike Termokos me qëllim që të njihet nga afër me parapërgatitjet për sezonin dimëror.
Sot kemi ardhur që të interesohemi për sezonin e ngrohjes në Komunën e Prishtinës që zyrtarisht fillon me datë 15 tetor. Kërkuam nga menaxhmenti raportim lidhur me parapërgatitjet që janë bërë për sezonin dimëror. Mund të them se na pret një vit pa probleme me ngrohje, mirëpo jemi të përgatitur për të gjitha skenarët.\"
\"Dua të potencojë se me kycjen e bllokut B2 në sistemin e ngrohjes ka përfunduar faza e parë e sistemit të koogjenerimit. Tash do të vazhdojmë me fazën e dytë që do të jetë riparimi i 50 nënstacioneve në Komunën e Prishtinës. Kjo na siguron ngrohje edhe më cilësore, tha kryetari Ahmeti.
I pari i Komunës së Prishtinës bëri të ditur se është siguruar tashmë një financim për vitin e ardhshëm që do të mundësojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes me sistem të koogjenerimit dhe se lidhur me planifikimet për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje është aplikuar për donacione edhe në Komisionin Evropian.
Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit ekzekutiv i Termokos it, Arsim Fetahu, tha se menjëherë pas përfundimit të sezonit të kaluar e cila konsiderohet si shumë e suksesshme, janë bërë të gjitha përgatitjet teknike për fillim të suksesshëm të ngrohjes gjatë këtij viti.
Njëkohësisht, ai u shpreh se situata me ngrohje do të jetë edhe më e mirë gjatë këtij viti shkaku i kycjes së bllokut B2 që ka ngritur kapacitetet prodhuese dhe ka përmirësuar operimin e shërbimeve.
I pyetur nga gazetarët lidhur me se si i vlerëson veprimet e njëanshme të përfaqësuesve të Kuvendit Komunal në komisionin e aksionarëve, kryetari Shpend Ahmeti ka qenë i prerë duke iu referuar ligjit për ndërmarrjet publike.
Ligji për ndërmarrjet publike është shumë i qartë. Ai e specifikon se ndërmarrjet publike udhëhiqen nga një komitet i aksionarëve që përbëhet nga të deleguarit e kryetarit dhe të Kuvendit të Komunës. Asnjëra palë nuk mund të merr vendime në vete, këto vendime mund të merren me konsensus dhe përderisa nuk ka konsensus, nuk ka edhe vendime.
Megjithatë, Termokos i e ka edhe bordin funksional dhe e ka edhe një ushtrues detyre të cilët janë duke funksionuar shumë mirë bashkë me menaxhmentin. Për ne është me rëndësi që sezoni i ngrohjes sivjet të jetë i suksesshëm, ndërsa vendimet e njëanshme që merren as nuk i marrim parasysh e as i respektojmë.
Sezoni i ngrohjes do të fillojë më 15 tetor. Përveç përparësive të shumta që ka projekti i kogjenerimit, siç janë kostoja më e ulët për prodhimin e energjisë termike, ambient më i pastër ekologjik, ngrohje më kualitative në kuptimin sasior dhe cilësor, po ashtu ka rezultuar edhe me rritjen e inkasimit për konsumatorët ekzistues dhe rritjen e kërkesave për kyçje të konsumatorëve të rinj në rrjetin e ngrohjes.
Respektivisht, të hyrat pothuajse janë dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar për shkak se qytetarët janë ndarë të kënaqur me ngrohjen, ndërsa shkalla e inkasimit është mbi 88%.