23 Dhjetor 2024

Sistemi i menaxhimit të mbeturinave ka nevojë për përmirësime

Prishtinë, 25 shkurt - Hulumtimet e ndryshme të realizuara gjatë viteve të fundit kanë vënë në pah faktin se sasia e mbeturinave në Kosovë është në rritje, përderisa menaxhimi i tyre bashkë me infrastrukturën përballen me sfida të shumta.

Një trend i tillë, natyrisht se shton rrezikun për ndikime negative në mjedis dhe për shëndetin publik. Prandaj përmirësimet në këtë sistem duhet të jenë të menjëhershme, me qëllim që të ruhen pasuritë natyrore përkatësisht mjedisi i Kosovës.

Kosova aktualisht përballet me sfida në gjithë rrjedhën e menaxhimit të mbeturinave, duke filluar nga grumbullimi, ndarja, riciklimi, trajtimi e deponimi, derisa është larg që t’i bëj ato pjesë të ekonomisë së gjelbër dhe asaj qarkore. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore.

Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian për vitin 2020, konstaton se sistemi i menaxhimit të mbeturinave të ngurta vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Sipas këtij raporti korniza ligjore është pjesërisht e përafruar me acquis të BE-së, por legjislacioni sekondar është ende i nevojshëm për të zgjeruar përgjegjësinë e prodhuesit dhe parimin ndotësi paguan.

 “Ligji për mbeturinat duhet të harmonizohet më tej me Direktivën Kornizë të Mbeturinave. Zbatimi është i mangët dhe shumica e mbeturinave përfundojnë në deponi që nuk menaxhohen si duhet, ose të paligjshme. Pavarësisht përpjekjeve për t’i mbyllur deponitë ilegale, ato vazhduan të përhapen (nga 1,572 në 2017 në 2,529 në 2019) dhe përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik, veçanërisht për shkak të mbetjeve të rrezikshme dhe ndotjes së ujërave nëntokësore”, shkruan në raport. Gjithashtu theksohet sfida për parandalimin dhe monitorimin e mbetjeve.

Në raport ceket se shkalla aktuale e grumbullimit është 70%, dhe se më pak se 40% e mbetjeve të ngurta hidhen në objektet e menaxhuara. Ndërsa për mbeturinat e rrezikshme të minierave, në raport thuhet se shkarkimet industriale në lumenj dhe deponitë industriale vazhdojnë të paraqesin kërcënime serioze për tokën dhe ujin, dhe se nuk është caktuar ndonjë vend për ndërtimin e impiantit për ruajtjen e mbeturinave të rrezikshme.

Ndërkaq raporti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit përkatësisht Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës i titulluar “Mjedisi i Kosovës 2020, Raport i treguesve mjedisorë” pohon se gjenerimi i mbeturinave komunale për kokë banori në Kosovë është në rritje, dhe se sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare çdo vit është duke shënuar rritje, derisa shtohet se në Kosovë ende ka mbeturina të rrezikshme të trashëguara nga aktivitetet industriale dhe teknologjike.

Gjenerimi total i mbeturinave sikurse edhe gjenerimi i mbeturinave për kokë banori në Kosovë sipas AMMK është në rritje, ku prej vitit 2014 deri në vitin 2018 shihet një rritje konstante e gjenerimit të mbeturinave për kokë banori, nga 140 kg/banorë (2014) në 284 kg/banorë (2018), ndërkohë që totali i mbeturinave në nivel vendi është rritur nga 247 mijë ton (2014) në 284 mijë ton (2018).

AMMK bazuar në të dhënat e ASK-së pohon se në vitet 2016, 2017 dhe 2018 shënohet një rritje e gjenerimit të mbeturinave industriale, ku përderisa në vitin 2010 në Kosovë janë gjeneruar 580,154.00 ton mbeturina industriale në vitin 2018 sasia e mbeturinave industriale të gjeneruara ishte 2,554,308.00 ton.

AMMK ka theksuar se nuk ka të dhëna specifike për mbeturinat e rrezikshme, por se “duke marrë në konsideratë që shumica e mbeturinave industriale janë të rrezikshme atëherë të dhënat e prezantuara në treguesin e mbeturinave industriale janë deri diku relevante për këtë tregues”.

Sasia totale e mbeturinave komunale të deponuara, sipas AMMK ka një rritje konstante ndër vite, ku në vitin 2009 janë deponuar 24.720.665 ton mbeturina, dhe në vitin 2019, sasia e mbeturinave të deponuara ka qenë 44.988.181 ton, ose gati dyfishi i vitit 2009. Edhe sasia e mbeturinave të deponuara për kokë banori/vit ka një trend të rritjes. Kështu përderisa në vitin 2011 janë deponuar 155.6 kg/b/vit mbeturina, në vitin 2019 janë deponuar 252.4 kg/b/vit.

Lidhur me sasinë totale të mbeturinave komunale të ricikluara, kjo Agjenci ka vënë në pah faktin se në Kosovë nuk ka sistem të organizuar të riciklimit të mbeturinave edhe pse në disa komuna ka iniciativë për ndarje të mbeturinave në burim, dhe se ekzistojnë disa kompani të licencuara që merren me aktivitetin e trajtimit dhe riciklimit të mbeturinave. Sipas të dhënave të ASK-së në vitin 2018 janë trajtuar 3.193 ton mbeturina, ndërsa që viti 2016 ishte viti me sasinë më të madhe të mbeturinave të trajtuara 10.674 ton.

“Sa i përket përbërjes se mbeturinave që riciklohen 69% e tyre janë mbeturina nga metalet e hekurit dhe metalet tjera, 13 % mbeturina plastike dhe 14% mbeturina nga letra dhe kartoni.

Në vitin 2019 kanë filluar edhe disa iniciativa për riciklimin e mbeturinave nga qelqi. Sasia e mbeturinave të ricikluara paraqet vetëm rreth 5% të totalit të sasisë së mbeturinave të gjeneruara në nivel vendi”, thuhet në raportin e AMMK-së, ku nënvizohet se një sasi e konsiderueshme e mbeturinave të riciklueshme (mbeturina që mund ti nënshtrohen procesit të riciklimit) eksportohen edhe jashtë vendit.

Autoritetet e nivelit qendror dhe të nivelit komunal përgjatë viteve të fundit kanë ndërmarrë aksione për pastrimin e mbeturinave, sidomos nga deponitë ilegale. Por të dhënat tregojnë se numri i deponive të paligjshme, në nivel vendi, është shtuar gradualisht. As brigjet e lumenjve dhe të liqeneve në pjesë të ndryshme të Kosovës nuk janë kursyer nga hedhja e paligjshme e mbeturinave.

Efektet negative në mjedis janë të dukshme, dhe vijnë si pasojë e mungesës së një qasjeje më sistematike për trajtimin e këtij problemi, gjë që është shoqëruar edhe me fondet e pamjaftueshme.

Ndërkohë drejtues komunash nga rajoni i Prizrenit në paraqitjet e tyre mediale disa herë kanë shprehur shqetësimin lidhur me hedhjen ilegale të mbeturinave në lokacionet e komunave të tyre përkatëse, madje duke pranuar se gjendja në këtë aspekt nuk po përmirësohet përkundër veprimeve të ndërmarra nga komuna dhe kompania rajonale e mbeturinave për pastrimin e deponive ilegale.

Gjithashtu është kërkuar përmirësimi i efikasitetit nga niveli qendror për intervenimet në zonat e tyre të përgjegjësisë; sikurse edhe kujdes më i madh nga qytetarët e operatorët, në mënyrë që mbeturinat të hidhen vetëm në vendet e destinuara për to dhe jo kudo në natyrë.

Në këtë situatë, ashtu edhe siç është rekomanduar nga komuniteti evropian, autoritetet shtetërore të Kosovës duhet të ndërmarrin masa për rritjen e mbulimit të grumbullimit të mbeturinave, zvogëlimin e tyre si dhe masa për rritjen e riciklimit të tyre, e rikuperimin me zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore, bashkë me rritjen e efikasitetit për adresimin e çështjes së deponive ilegale, në mënyrë që të minimizohen sa më shumë pasojat negative për mjedisin dhe shëndetin publik, si aktualisht ashtu edhe për të ardhmen.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)