Sistemi financiar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm pavarësisht pandemisë
Prishtinë, 10 prill - Drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë takuan Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të diskutuar lidhur me parametrat ekonomikë pas shpërthimit të pandemisë COVID19.
Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti informoi Kryetarin e OEK Berat Rukiqi dhe Drejtorin Ekzekutiv të OEAK Arian Zeka, se situata për sa i përket likuiditetit të sektorit financiar vazhdon të jetë pozitive pavarësisht ndikimit që pandemia ka pasur në sektorin privat.
Ai tha se bankat komerciale mbesin të zotuara të ndihmojnë sektorin privat të tejkalojë vështirësitë të cilat lidhen me kufizimin e aktivitetit ekonomik me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, duke përfshirë këtu edhe riprogramimin e detyrimeve kreditore për ndërmarrjet të cilat janë afektuar nga kriza aktuale.
Ai shtoi më tej se në asnjë mënyrë nuk do të ketë as ndëshkime financiare nga ana e institucioneve financiare apo prishje të kategorizimit kreditor për ndërmarrjet, aftësia paguese e të cilave është vështirësuar si rrjedhojë e situatës aktuale.
Drejtuesit e dy odave ekonomike ofruan bashkëpunimin e tyre të plotë me qëllim të minimizimit të ndikimit të pandemisë në ekonominë e Kosovës, por edhe shkëmbimin e ideve dhe rekomandimeve të cilat do të ndihmonin në rikuperimin e shpejtë ekonomik pas përfundimit të pandemisë.