29 Dhjetor 2024

Shtyhet nënshkrimi i marrëveshjes për klimën

Paris, 11 dhjetor - Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius deklaroi në bisedimet për klimën në Paris se një marrëveshje përfundimtare nuk do të arrihet nga konferenca para së shtunës, ndërkohë që më parë ishte parashikuar që të arrihej sot në mbrëmje.

Fabius e bëri njoftimin pas një nate që sipas disa burimeve u shoqërua me negociata të vështira mes zyrtarëve nga 195 vendet pjesëmarrëse.​

“Ka pasur përparim, por mbetet ende shumë punë për të bërë. Sot do të vazhdojmë të diskutojmë për tekstin dhe unë do të vazhdoj konsultimet. Prandaj unë do ta paraqes tekstin jo sot në mbrëmje, siç kisha parashikuar por nesër në mëngjes dhe do të arrijmë të marrim vendimet e nevojshme deri nga mesdita”.

Ai shtoi se atmosfera është pozitive dhe çdo gjë po shkon në drejtimin e duhur, por mbetet ende shumë për të bërë, pasi siç tha ai ka çështje shumë të ndërlikuara për të zgjidhur pasi bëhet fjalë për të gjitha vendet e botës. Zoti Fabius theksoi se në këto kushte është normale që të duhet më shumë kohë për diskutimet.

Mosmarrëveshjet më të thella në konferencën ku po merr pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kanë të bëjnë me peshën e përgjegjësisë që duhet të marrin vendet më të varfra për koston e masave për pakësimin e çlirimit të gazeve të dëmshme dhe se cili duhet të jetë objektivi afatgjatë i marrëveshjes.

Në konferenca të mëparshme, synimi që ishte vendosur ishte mbajtja e temperaturave globale me një diferencë jo më shumë se dy gradë nga ajo që kishte qenë para se të fillonte era industriale. Por studime të reja tregojnë se mund të arrihen rezultate më të mira me një objektiv më modest, si për shembull 1.5 gradë.

Varianti i fundit i projekt-marrëveshjes përfshin gjithashtu një formulim ku bëhet thirrje për “bashkëpunimin më të gjerë të mundshëm nga të gjitha vendet”, në një përpjekje për pakësimin e çlirimit të gazeve të dëmshme.

Në një tjetër zhvillim, Pekini thotë se Presidenti Xi Jinping pati një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Barack Obama për të diskutuar ndryshimet e klimës. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar lidhur me këtë bisedë dhe Pekini nuk tha se çfarë u diskutua gjatë saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)