22 Dhjetor 2024

Shtrenjtimi rrymës hap rrugë për destabilizim social në Kosovë

Prishtinë, 12 janar - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka deklaruar se KEDS është shumë insistues ndaj ZRRE-së që të miratoi kërkesën për rritje të faturave për energji elektrike në shumën 30 -40 %, si hap i parë drejt rritjes së radhës së çmimit të rrymës e që jetën e shumicës së qytetarëve të Kosovës do ta bëjë të pamundur shkaku se edhe me çmimet e tashme kanë shumë probleme t’i shlyejnë faturat.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit mori një vendim që mos të ketë pension nën 100 euro e që fare pak ndikon në përmirësimin e jetës së pensionistëve aq më parë që kjo rritje, varësisht nga kategoria përfituese, rritja është 11-25 % që nuk mund t’i mbulojë as faturat e rrymës me rritje të paralajmëruar prej 30 – 40 %, për fillim.

KMDLNJ vlerëson se rritja e faturave për rrymën e shpenzuar shkakton një rritje zinxhirore të gjithë artikjuve tjerë si dhe thuaja të gjitha shërbimeve që e vështirëson, deri në rrezikim të mbijetesës gjendjen e kategorive të rrezikuara ku pensionistët, të të gjitha kategorive përbëjnë grupin më të cenueshëm, shkaku i moshës, gjendjes shëndetësore si dhe pensioneve që edhe me rritjen e fundit nuk e kalojnë cakun e një intervenimi social e jo një pension që i përmbushë nevojat elementare dhe që e respekton kontributin e kësaj kategorie të shoqërisë kosovare gjatë jetës dhe punës së tyre.

"Nëse Qeveria e Kosovës nuk ka një plan konkret për subvencionim të kategorisë së margjinalizuar atëherë, duke socializuar humbjet e KEDS –it dhe duke ua trashur lëngun ZRRE-së, këtë kategori do ta dërgojë drejt afrikanizimit social dhe ekonomik, duke kontribuar në rrënimin e shëndetit dhe rrezikimit të jetës e që është në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut përkatësisht  ua mohon të drejtat sociale dhe ekonomike të cilat ua garantojnë Kushtetuta e Kosovës, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe konventat për të Drejtat Sociale dhe Ekonomike", thekson KMDLNJ.

Shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike  sipas KMDLNJ-së i krijon të gjitha parakushtet për shprehje të pakënaqësisë qytetare në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe jo prapakthim siç do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës nuk do t’i rrisë pensionet por edhe pagat në përputhje me inflacionin dhe rritje të çmimeve të shportës së shpenzimeve për një familje.

"Nëse nuk kemi rritje të pagave përmes Ligjit për Paga sikur edhe rritje të pensioneve që siguron një jetë minimale të dinjitetshme atëherë do të krijohen rrethanat për një pakënaqësi të përmasave të gjëra  që do të përkrahej nga të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, gjinisë, bindjeve fetare dhe atyre politike", thekson KMDLNJ.

KMDLNj e përkujton Qeverinë e Kosovës që po sillet si të gjitha qeveritë paraprake sa i përket trajtimit të pensionistëve kontributpagues e që janë larguar dhunshëm nga puna nga regjimi i Serbisë, duke mos ua pranuar stazhin e punës në kohën kur ishin larguar dhunshëm nga vendet e punës.

"E kemi një situatë paradoksale kur një i punësuar, tash pensionist, me përgatitje të lartë universitare shkaku se nëse edhe për një javë apo edhe një ditë nuk e ka përmbushur kushtin për stazhin e imponuar, trajtohet si dikush që kurrë nuk ka punuar në jetën e vet duke përfituar pensionin në bazë të moshës!"

"Kjo nuk ndodhë në asnjë vend të botës dhe ky është diskriminimi më i madh që iu bëhet pensionistëve kontributpagues, të larguar dhunshëm nga puna për shkaqe politike dhe etnike. Kjo paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe diskriminim kapital që duhet të ndërpritet menjëherë përmes miratimit të Ligjit përkatës", nënvizon KMDLNJ.

KMDLNj një kohë të gjatë është angazhuar që ky Ligj të miratohet sa më parë përmes reagimeve publike, bashkëveprimeve me sindikatat përkatëse si dhe gjatë takimeve me ministrat përkatës.

KMDLNj thërret Qeverinë e Kosovë-s që urgjentisht ta rishqyrtojë mundësinë për rritje të dinjitetshme të pensioneve të kategorive sociale, pensionistëve në bazë të moshës si dhe pensioneve tjera, të rrisë rrogat e sektorit publik sikur që të krijojë rrethana lehtësuese për bizneset të cilat shkaku i masave kufizuese dhe uljes së kapacitetit blerës, ose kanë falimentuar ose janë në prag të falimentimit.

Në këtë mënyrë do të kontribuonin që edhe në sektorin privat të ketë rritje të pagave.  Qeveria e Kosovës duhet të krijojë kushte që ata që janë përfitues të skemës sociale, përmes krijimit të vendeve të reja të  punës të shndërrohen në kontribues të Buxhetit të Kosovës .

Gjendja e rënduar ekonomike është pengesa më e madhe për thithjen e investimeve nga jashtë kurse Buxheti i Kosovës nuk garanton zhvillim përveçse bënë përpjekje të sigurojë një paqe sociale.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)