Shtrenjtimi nxit vjedhjen e rrymës
Prishtinë, 13 mars - Kërkesa e Korporatës Energjetike e Kosovës(KEK)që energjia elektrike të shtrenjtohet për 10 për qind prej fillimit të muajit të ardhshëm, mund të përcillet me ulje të inkasimit, si dhe stimulim të vjedhjes së rrymës.
Kështu thuhet në raportin e fundit të Institutit GAP dhe Forumit për Iniciativa Qytetare(FIQ), duke shtuar se duke marrë parasysh që pjesa dërrmuese e buxhetit konsumues shpenzohet për nevoja ekzistenciale, ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ishte një barrë e rëndë për qytetarët.
Kjo barrë mund të shkaktojë pakënaqësi sociale që në rast përkeqësimi mund të shkaktojnë trazira sociale, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Edhe vitin e kaluar tarifat e energjisë elektrike në vend janë shtrenjtuar për 8.9 për qind.
Njohësit e çështjeve ekonomike në vend thonë se KEK-u është më mirë ti zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale të energjisë, të cilat brenda një viti kapin shumën prej 100 milionë euro, se sa të mendojë për shtrenjtim të tarifave.
Nëse më shumë se 30 për qind e rrymës humb në rrjet, apo vidhet, atëherë është më e arsyeshme të zvogëlohen këto humbje se sa të mendohet për shtrenjtim të energjisë elektrike, ka theksuar Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale(STRAS).
Sipas tij, edhe Rregullatori i Energjisë para se ta aprovojë kërkesën për shtrenjtim të rrymës duhet ta ketë parasysh standardin jetësor të kosovarëve.
Mendoj se nuk ka arsye për rritje të çmimit të energjisë elektrike nga muaji i ardhshëm, pohon Rexhepi.
Edhe përfaqësuesit e biznesit në vend pohojnë se shtrenjtimi i energjisë elektrike nga KEK-u është i papranueshëm për bizneset.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB), thotë për Zërin se shtrenjtimi i rrymës do ta rrisë koston e shërbimeve vendore, pamundëson rritjen e eksportit, si dhe keqëson gjendjen ekonomike e sociale në vend.
Sipas raportit të GAP dhe FIQ, buxheti i kosovarëve është relativisht i vogël, ku për konsum në vitin 2011 në mesatare një kosovar harxhonte hiç më shumë se 1,210 euro në vit, apo pak më shumë se 100 euro në muaj.
Një buxhet i tillë i vogël nuk lejon për shumë shpenzime tjera jashtë atyre, për të plotësuar nevojat ekzistenciale, thuhet ndër të tjera në raport, duke shtuar se ngritja e çmimit të energjisë pikë së pari do të rriste përqindjen e konsumit të kategorisë së banimit.
Duke supozuar rritje joproporcionale të çmimit të energjisë elektrike dhe buxhetit të ekonomive familjare, sipas këtij raporti, kjo përqindje do të rritej në dëm të shpenzimeve tjera, që do të thotë që një rritje eventuale do të sakrifikonte konsumin e fushave tjera.
Përveç efekteve në konsum, rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë gjithashtu edhe në sasinë e parave të kursyera. Kjo ndodh pasi që, për të kompensuar për rritjen e shpenzimeve për banim dhe për të mos sakrifikuar uljen e shpenzimeve në fushat tjera, kursimet do të duhet të kthehen në para të gatshme për shpenzim. Në plan të gjatë, ky efekt mund të reflektonte negativisht në aftësinë financiare për të planifikuar investime të ndryshme kapitale apo në kapitalin njerëzor.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë edhe efekte indirekte. Një efekt indirekt është rritja e kostos se bukës, si njeri ndër produktet bazë të çdo qytetari. Buka dhe drithërat përbejnë 8 për qind të buxhetit të ekonomive familjare. Për furrat e bukës që nuk funksionojnë me energji elektrike, kjo e fundit kontribuon rreth 5 për qind në çmimin final të bukës
Përndryshe, çmimi mesatar i energjisë elektrike pa taksa në Kosovë gjatë vitit 2011 për amvisëritë me konsum deri ne 5,000 KW/h ishte 5.76 euro/cent për KW/h.
Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova paguan më shume për KW/h se sa Serbia dhe Maqedonia, ndërsa çmim më të ulët se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi, potencohet në raport.
/zeri/