Shtohet numri i shtëpive me panelet diellore në SHBA
New York, 10 shkurt - Gjithnjë e më shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë duke instaluar panele diellore në shtëpitë e tyre për të përftuar energji elektirke.
Kostja mund të jetë e lartë, prandaj dhe shumë lagje kanë formuar grupe që të ndihmojnë pronarët e shtëpive të kursejnë para.
Të parët që e bënë këtë ishin banorët e lagjes Maunt Plezënt në Uashington, ku 75 familje kanë formuar Kooperativën Diellore Maunt Plezënt. Të djekim disa hollësi për këtë nismë.
Maunt Plezënt është një lagje historike e Uashingtonit dhe panelet diellore nuk lejohet që të shikohen nga rruga. Kooperativa Diellore Maunt Plezënt është pjesë e një nisme që ka përfshirë gjithë Shtetet e Bashkuara për të inkurajuar pronarët e shtëpive të përdorin panele diellore për energji elektrike në vend të karburantit fosil që mund të dëmtojë mjedisin.
Robert Robinson, një prej anëtarëve të kooperativës thotë se ishte një ndihmesë pozitive që shumë nga fqinjët mendojnë se energjia diellore është burim i rëndësishëm.
\"Shumë banorë këtu kanë punuar në vendet në zhvillim në mbarë botën dhe që nga vitet 70-të ata kanë patur përvojë në bazat e forcave ajrore që përdorin energjinë e diellit, po ashtu shkollat dhe spitalet.
Kooperativa filloi në vitin 2006 me fqinjë që menduan ti vendosnin panelet diellore në çatitë e shtëpive. Banorët konstatuan se procesi ishte i vështirë dhe i shtrenjtë dhe u këkruan të tjerëve në lagje që të bashkoheshin me ta. Anja Skullmen, një nga themelueset e grupit, thotë se Uashingtoni ka mjaft diell gjatë gjithë vitit, prandaj dhe përdorimi i energjisë diellore është praktik.
\"Ne kemi ditë të gjata vere me diell dhe panelet diellore janë funksionale për ne.
Kooperativa u përpoq të merrte skonto nga kompanitë që instalojnë panelet diellore dhe anëtarët ndihmuan njeri tjetrin për të kuptuar programet qeveritare të kompensimeve për koston e instalimeve. Panelet kushtojnë nga 15 mijë në 30 mijë dollarë, në varësi nga madhësia e sistemit.
Por megjithë koston fillestare, në një periudhë afatgjatë, kursimet janë të ndjeshme. Skullmen thotë se fatura e elektrikut për familjet që kanë instaluar panele diellore është ulur në disa raste deri me dy të tretat. Për më tepër, kompanitë lokale të elektrikut u japin pronarëve të shtëpive kredi, kur ata gjenerojnë më shumë energji diellore nga sa përdorin.
Kooperativa Diellore Maunt Plezënt ka ndihmuar gjithashtu që qeveria e Uashingtonit të miratojë ligje miqësore për energjinë diellore. Anja Skullmen krijoi kohët e fundit Rrjetin e Komuniteteve me Energji për të ndihmuar edhe komunitete të tjera për të shfrytëzuar energjinë diellore.