Shtetet e BE-së mbështesin sektorin e mjedisit në Kosovë
Prishtinë, 22 nëntor - Pas një viti pune intensive dhe bashkëpunimi të ngushtë midis Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, përkatësisht Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së si: Austria, Finlanda dhe Letonia, në Seminarin Afatmesem që u mbaj sot në Prishtinë u prezantuan rezultatet e para, të gjetjeve dhe përvojave të arritura.
Seminari u fokusua kryesisht mbi përvojat e arritura deri më tani nga pikëvështrimi i ekspertëve të Kosovës dhe i institucioneve të perfshira, si dhe mbi rëndësinë që kanë këto rezultate për sektorin e mbrojtjes së mjedisit në Kosovë.
Të pranishëm në këtë takim ishin: Ambasadori i Ambasadës Austriake, z. Johann Brieger, Ambasadorja e Ambasadës Finlandeze, Znj. Tarja Fernandez, përfaqësues nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, përfaqësues nga Agjencioni Austriak i Mjedisit, si dhe nga Instituti Meteorologjik i Finlandës dhe nga Qendra për Mjedis, Gjeologji dhe Meteorologji nga Letonia.
Në fjalën e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit Z. Shpëtim Rudi tha se tani më është dëshmuar që ky projekt, është një ndihmë konkrete në forcimin institucional të AMMK-së në veçanti dhe MMPH-së në përgjithësi përmes ngritjes së kapaciteteve por, njëkohësisht edhe përmes përmbushjes dhe standardeve tjera mjedisore që kërkon procesi i integrimeve evropiane.
Rezultatet e projektit janë evidente dhe të prekshme në të gjitha fushat si në Raportimin për Gjendjen e Mjedisit, ndërtimin e Sistemit Informativ Mjedisor dhe në avancimin e monitorimit të gjendjes së mjedisit, tha zëvendësministri Z. Shpëtim Rudi.
Kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit Z. Ilir Morina tha se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) është përfituese e projektit të Binjakëzimi të Bashkimit Evropian të quajtur Mbështetje për Sektorin e Mjedisit në Kosove.
Ky është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian me kohëzgjatje prej 22 muajsh, me një buxhet prej 1 milion me bashkëfinancim edhe nga Buxheti Shtetëror i Republikës së Kosovës.