Shqyrtohet ankesa e KOSTT-it lidhur me ndërhyrjet e Serbisë
Prishtinë, 18 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac me çrast u bisedua lidhur me realizimin e projekteve konkrete ne lëmin e energjisë dhe obligimet që dalin nga pakoja e tretë e BE-së.
Me këtë rast ministri Beqaj e njoftoi zotin Kopac lidhur me zhvillimet në sektorin e energjisë në vendin tonë, me theks të veçantë në projektet që kanë të bëjnë me privatizimin e KEDS-it , projektin e TC Kosova e Re dhe Hidrocentralit të Zhurit.
Ministri Beqaj theksoi se është duke u punuar në planin për ndryshimin dhe harmonizimin e ligjeve të pakos së tretë të BE-së në lëmin e energjisë.
Nga ana e tij Kopac vlerësoi bashkëpunimin e deritashëm të Kosovës me Sekretariatin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe theksoi se Kosova është vendi i parë anëtar i traktatit i cili ka dorëzuar me kohë planin për ndryshimin dhe harmonizimin e ligjeve të pakos së tretë të BE-së.
Kopac është pajtuar që çështja e ankesës së KOSTT-it lidhur me ndërhyrjet kundërligjore të Serbisë të shqyrtohet në takimin e ministrave të energjisë të vendeve anëtare të Traktatit të Energjisë.