Shqiptohen vetëm 6 gjoba për ndotësit e mjedisit gjatë dy muajve të fundit
Prishtinë, 15 mars - Ta Pastrojmë Kosovën ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor për shqiptimin e gjobave për ndotësit e mjedisit.
Bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se gjatë këtyre muajve JANAR dhe SHKURT 2021, janë shqiptuar gjithsej 6 gjoba mandatore.
Komunat që kanë shqiptuar gjoba janë, Istogu (dy gjoba mandatore), komuna e Shtimes (3 gjoba mandatore) si dhe komuna e Lipjanit (1 gjobë mandatore dhe 1 fletparaqitje për gjykatë).
Komunat, Obiliq, Vushtrri, Ferizaj, Viti, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit, Prizren, Pejë, Gjakovë, Rahovec, Deçan, Drenas, nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë mandatore për ndotësit e mjedisit.
Komunat, Prishtinë, Fushë Kosovë, Skënderaj, Podujevë, Mitrovicë, Gjilan, Klinë, Junik, Suharekë dhe Malishevë nuk kanë raportuar fare. Përkundër komunikimit që kemi pasur me isnpektorët komunal dhe personat tjerë sipas autorizimeve që kemi marrë nga vet komunat në fjalë, nuk kemi marrë asnjë raport prej tyre.
Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore është në fuqi që nga viti 2009 dhe në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, 15 shtator – 15 dhjetor 2018 ka ndodhur plotësim-ndryshimi `tij.
Ky udhëzim ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit duke shqiptuar gjoba për ndotësit e mjedisit. Vlera minimal e gjobës është 20 euro dhe ajo maksimale 100.
Ta Pastrojmë Kosovën e monitoron tash e 6 vite udhëzimin në fjalë dhe për 5 vite ky udhëzim monitorohet në baza vullnetare. Andaj kërkojmë që komunat të jenë më të përgjegjshme në raportim të të dhënave.
Monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të dhënat në afate dymujore.