Shqiptarët në veri kërcënohen se do tu këputet rryma
Ata janë ankuar se janë kërcënuar nga punëtorët e ndërmarrjes serbe që menaxhon me energjinë se do ti shkyçin nga rrjeti nëse nuk i paguajnë faturat.
Hajrullah Azemi, një banor në moshë të shtyer që shoqërohej edhe nga disa fqinjë të tij që jetojnë në atë lagje, tha se këto kërcënime janë si formë presioni ndaj tyre.
Ne jetojmë 20 familje në atë lagje dhe asnjë nuk e ka shitur pronën. Kjo si duket i ka nervozuar strukturat serbe që pretendojnë të pastrojnë etnikisht veriun.
Ai tregoj se të martën në shtëpinë e tij kanë qenë tre persona, të cilët kanë thënë se punojnë në ndërmarrjen Elektrokosmet Prishtina dhe kanë kërkuar që të paguhet rryma, në të kundërtën do të më shkyçin nga rrjeti.
Ata më thanë se nëse nuk e paguaj për disa ditë do të shkyçin energjinë në shtyllë.
Ai tha se banorët e asaj lagjeje jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike. Përmendi si probleme të mëdha personat e sëmurë që kanë në familje, të cilët kanë nevojë për përkujdesje të vazhdueshme.
Kemi shumë persona që kanë probleme serioze me shëndet. Ka njerëz të paralizuar dhe nëse e shkëputin rrymën gjendja do të rëndohet shumë për jetesë atje.
Edhe Shefqet Jashanica, një tjetër banor i asaj lagjeje, foli për rrethana të rënduara për jetë atje. Theksoi se prej përfundimit të luftës nuk kanë liri lëvizje dhe qarkullojnë me një autobus që mban vijën për në Kodrën e Minatorëve.
Banorët ishin njëzëri se nuk kanë mundësi të paguajnë rrymën, meqë nuk punojnë. Ata kërkuan edhe mbështetjen e komunës dhe të institucioneve të tjera për problemet e tyre.
Në anën tjetër, nënkryetari Haziri, ka shpreh respektin për qëndrimin e tyre dinjitoz në shtëpitë e veta edhe në rrethana të vështira prej përfundimit të luftës.
Ai vlerësoj gjithashtu edhe sjelljet e tyre të qytetëruara karshi provokimeve nga strukturat paralele serbe.
Në këtë kontekst, përmendi edhe çështjen e energjisë elektrike. Tha se në veri me rrjetin elektrik nuk menaxhon KEK-u dhe si rrjedhojë faturat që paguhen nuk shkojnë në llogari të kësaj ndërmarrjeje kosovare.
Presim që për çështjen e energjisë të gjendet një zgjidhje në mënyrë që ndërmarrjet e licencuara nga institucionet e Kosovës të menaxhojnë këtë segment.
Nënkryetari Haziri, përsëriti kërkesën për strukturat e sigurisë që të jenë të kujdesshme këto ditë në veri, duke pasur parasysh reagimet e strukturave paralele dhe qarqeve të tjera që nuk i kanë mirëpritur disa marrëveshje që janë bërë mes Kosovës dhe Serbisë.
Është bërë praktikë që këto qarqe sa herë të ketë ndonjë ngjarje të rëndësishme të lidhur me Kosovën të tentojnë për të destabilizuar situatën.
Në ndërkohë ai i ka njoftuar për angazhimet e komunës dhe institucioneve kosovare për përmirësimin e jetës në veri. Haziri tha se ka shumë probleme dhe sfida, por janë bërë edhe disa hapa të mirë, si procesi i rindërtimit që ka mundësuar edhe kthimin e një numri familjesh në shtëpitë e tyre.