22 Dhjetor 2024

Shqipëria shpreson t'i shet hidrocentralet

Tiranë, 23 nëntor - Qeveria shqiptare shpreson të fitojë 100-150 milionë euro nga shitja e katër hidrocentraleve të mesëm që së fundmi u shkëputën nga bilanci i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të krijuar një kompani të re, bëhet e ditur nga burime nga qeveria.

Të katër hidrocentralet, Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, kanë fuqi të instaluar prej 76.8 megavat dhe kanë prodhuar së bashku 6.07 për qind të energjisë totale të prodhuar në Shqipëri gjatë vitit 2010.

“Ne jemi në një fazë të rëndësishme të procesit të privatizimit të katër HEC-eve dhe shumë shpejt do të hapet një ankand ndërkombëtar për shitjen e tyre, rreth 80 megavat”, – deklaroi dje në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve të Detit të Zi, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço.

Këto hidrocentrale kanë prodhuar gjithsej 546 mijë MW, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë euro.

Qeveria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për arsyet që e bëjnë të mendojë për privatizimin e këtyre hidrocentraleve, të cilat janë aktualisht në gjendje të plotë prodhimi dhe nuk kanë ndonjë problem menaxhimi, pasi KESH i ka menaxhuar këto impiante që nga krijimi i tyre. HEC-et në luginën e Matit kanë 134 punonjës, ndërsa ato të Bistricës kanë 64 punonjës.

Privatizuesit e këtyre hidrocentraleve, në rast se çmimi i ofruar do të jetë 100 milionë euro, do të mund të nxjerrin çmimin e blerjes në më pak se 7-8 vjet ndërsa në rast se çmimi arrin në 150 milionë euro, atëherë investimi rikuperohet për 8 apo 9 vjet, duke e bërë këtë privatizim një investim me normë fitimi vjetore prej 15 për qind.

Kostoja e ndërtimit të hidrocentraleve varion nga 500 mijë në 2 milionë euro për MW të instaluar, gjë që do të thotë se vlera e objekteve në privatizim, në rast se nisen të ndërtohen sot, mund të arrijë në 38-153 milionë euro.

Privatizimi është parë shpesh si zgjidhje për problemin e paaftësisë menaxhuese të qeverisë, por rasti i katër hidrocentraleve duket se nuk është i tillë, pasi ato janë objekte lehtësisht të menaxhueshme, nuk kanë ndonjë komplikacion dhe përbëhen nga një teknologji që në Shqipëri ka tetë dekada që përdoret.

Qeveria gjendet aktualisht në vështirësi financiare të krijuara nga kriza botërore dhe nuk dëshiron të marrë masat e nevojshme në shkurtimin e shpenzimeve apo rritjen e taksave për të mbuluar deficitin buxhetor në rritje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)