Shqipëria, më e pasura për naftë
Tiranë, 12 janar - Ndryshe nga sa mendohet, Shqipëria rezulton të jetë një nga vendet me pasuri natyrore më të mëdha në Europë. Thesari më i madh gjendet tek rezervat e naftës që arrijnë në një sasi prej rreth 400 milionë tonësh.
Sipas burimeve zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara.
Sipas të dhënave, Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë ha konsiderohet si burimi më i madh i naftës në të gjithë Europën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish nafte në vit.
Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksportet e naftës vendase janë rritur me ritme shumë të shpejta që prej vitit 2005. Eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar kështu totalin e eksporteve vendase.
Në raport me një vit më parë, për vitin 2013 eksporti i naftës bruto u rritën 36%, ndërsa kundrejt vitit 2005 ky eksport regjistron një rritje prej 2880%.
Të njëjtën ecuri pozitive regjistroi edhe eksporti në sasi, duke shënuar 1 milion ton në fund të vitit 2012. Në raport me një vit më parë ato u rritën në 36.3%. ndërsa kundrejt vitit 2005 rritja është 1193%.
Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës bruto vijoi të ishte pozitive. Në fund të tetorit 2013, eksportet arritën në 1.6 milionë tonë. Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për tu përdorur në konsumin vendas. Nafta shqiptare për shkak të cilësisë së saj eksportohet si bitum në tregjet e huaj dhe shërben për asfaltimin e rrugëve.