Shqipëria ka energjinë elektrike më të shtrenjtë në rajon
Tiranë, 20 janar - Një studim i kryer nga Enti Rregullator i Energjisë tregon se mes vendeve të rajonit, ku përfshihet Serbia, Mali i Zi, FYROM-i, Bosnja dhe Kosova, Shqipëria del me koston më të lartë të kilovatit të energjisë elektrike.
Shqipëria është kampion për faturat më të shtrenjta, me çmim mesatar 7.21 euro cent/kilovat, dhe pastaj vijnë FYROM-i me 6.78 euro cent/kilovat, kurse me çmimin më të ulët është Kosova, me 4.95 euro cent/kilovati.
Fatura të kripura paguajmë edhe te kategoria e konsumatorëve familjarë, me 6.72 euro cent/kilovati, duke u renditur të dytët, pas FYROM-it me 7.27 euro cent/kilovati.
Nga llogaritjet del se çmimi mesatar në rajon është 5.77 cent/kilovat, ose rreth 25 për qind më e ulët në raport me tarifën që paguhet në Shqipëri.
Të dhënat e treguara nuk janë të llogaritura me taksat, të cilat japin ndikim në çmimin final.