23 Dhjetor 2024

Shqipëria, Italia, Greqia, nënshkruajnë për gazsjellësin

New York, 29 shtator - Shqipëria, Italia dhe Greqia nënshkruan të enjten në New York një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të lidhë tre vendet, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit për në Perëndim.

Marrëveshja për gazsjellësin Trans Adriatik ose TAP, u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti dhe homologët e tij, ministri i Jashtëm italian, Giulio Terzi dhe ai grek, Dimitris Avramopulos. Ministri shqiptar tha se ky është një projekt me interes të madh ekonomik për vendin e tij.

Koordinatori i Shteteve të Bashkuara për Çështjet Ndërkombëtare të Energjisë Karlos Paskual duke e përshëndetur marrëveshjen thekson se: \"Korridori Jugor do të sjellë një burim të ri të furnizimit me gaz në Europë, një qëllim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht\".  Sipas zyrtarit amerikan, linja e re e furnizimit ka rëndësi për shumicën e vendeve të Europës që të mos varen tek një furnizues i vetëm për energji.
 
Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë Kombeve të Bashkuara në New York, ministrat e jashtëm Panariti, Terzi dhe Avramopoulos e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e tyre. 
 
Dokumenti i nënshkruar është një memorandum mirëkuptimi, i cili shënon hapin e parë në nivel politik, që do të pasohej nga analizat teknike për krijimin e kornizës së infrastrukturës së re.

Gazsjellësi Trans Adriatik është njëri ndër disa projektet konkurruese për sjelljen e gazit nga fusha Shah Deniz e Azerbajxhanit drejt Evropës, gjë që synon të ulë varësinë nga furnizuesit e tanishëm, duke përfshirë Rusinë.

Me nënshkrimin e memorandumit tre vendet i japin mbështetje të plotë politike projektit dhe kjo shton mundësitë që ai të dalë fitues. Projekti tjetër është Nabucco West, i cili parashikon kalimin e gazit nga Turqia me destinacion përfundimtar Austrinë.

Ministri i jashtëm italian Giulio Terzi tha se projekti ka rëndësi në pikëpamje të sigurisë energjitike.
 
“Për vendin tim, kjo është pjesë e një tablloje më të gjerë të sigurimit energjitik. Gjithashtu, nga pikëpamja e zhvillimit infrastrukturor është me rëndësi sepse do të lejojë kalimin e gazit përmes Adriatikut drejt bregdetit italian, duke krijuar përfitime për Shqipërinë, Greqinë dhe vendet ku do të kalojë gazsjellësi”.
 
Ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e shikon projektin me shumë leverdi për lehtësimin e vështirësive ekonomike në vendin e tij.
 
“Ky projekt ka shumë rëndësi në këto kohë të vështira ekonomike për të krijuar vende pune dhe nxitur zhvillimin. Veç kësaj, ai çon përpara dhe lehtëson bashkëpunimin mes tre vendeve. Do të kemi edhe bisedime dhe diskutime të tjera në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare”.
 
Në komentet që bëri për Zërin e Amerikës pas nënshkrimit, ministri i jashtëm shqiptar Edmond Panariti, tha se kalimi i gazjellësit në Shqipëri mund të krijojë shumë vende pune.

“Fakti që ky tubacion do të kalojë në territorin shqiptar nënkupton që do të zhvillohet një infrastrukturë mbështetëse e këtij tubacioni, gjë që do të thotë se firma të huaja do të angazhohen me investime për të zhvilluar infrastrukturën edhe shpërndarëse të gazit. E gjitha kjo nënkupton edhe hapjen e vendeve të reja të punës. Llogaritet se zhvillimi i këtij projekti do të krijojë 2 mijë vende të reja pune për Shqipërinë”.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë tha se Gazsjellësi Trans Adriatik ka një numër avantazhesh në krahasim me projektin Nabucco West.

“Projekti TAP ka avantazhe përsa i përket fizibilitetit ekonomik, atij financiar dhe karakteristikave teknike më të favorshme krahasuar me projektin paralel Nabuko West. Kështu që unë shpresoj që në fund të dhjetorit apo në fillim të vitit tjetër, konsorciumi do të përzgjedhë projektin TAP si projekt fitues”.

Zoti Panariti tha se Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për diplomacinë energjitike, Amos Hochstein, luajti një rol me rëndësi në arritjen e memorandumit të mirëkuptimit mes tre shteteve.

Qeveria e Shqipërisë parashikon që Gazjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim prej 2 miliard eurosh.

Konsorciumi për investimin në këtë projekt përfshin kompaninë zvicerave EGL, atë norvegjeze Statoil dhe gjermanen EON Ruhrgas. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)