Shqipëri, prodhuesit e energjisë zhyten në krizë
Tiranë, 24 shkurt - Në kushtet kur Shqipëria ka nevojë të madhe për furnizim me energji elektrike, prodhuesit vendas shprehen të shqetësuar se e kanë të pamundur të vijojnë operacionet me hidrocentralet lokale.
Në kuadër të disa ndryshimeve në rregulloren e koncesioneve, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço mblodhi dje përfaqësues nga sektori privat i prodhimit të energjisë për ti njohur me reformën e re, por meraku i biznesit qëndronte në tjetër çështje.
Bankat nuk japin kredi për ndërtimin dhe vënien në punë të hidrocentraleve, kurse shumë konfl ikte me pronën e kanë komplikuar akoma dhe më tej procesin.
Dakord me çfarë na tha ministri, por hallin e kemi te fi nancimi. Banka nuk jep kredi, në rastet kur projekti parashikon ndërtimin e dy a më shumë HEC-ve brenda një kaskade, pasi ka frikë se dështojmë dhe nuk shlyejmë dot financimin, - u shpreh një investitor.
Të njëjtin shqetësim kishte subjekti i një HEC-i lokal, në jug të vendit. Për të marrë kredi në bankë duhet të kemi gati dokumentacionin, por në shumë raste ka vonesa, burokraci nga shteti, kështu që banka e lë pezull, - thotë përfaqësuesi i një biznesi HEC-esh.
Të tjerë u ankuan se BERZH nuk mund ti ndihmojë, duke e bërë të pamundur investimin. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka tentuar disa herë të jetë pjesëmarrëse në projektet koncesionare të energjisë, por xhungla e dokumentacionit, siç e konsideron vet zv/ministri Eno Bozdo, e bën të vështirë aprovimin e huasë.
Të na ndihmojë ministria me fondet që ka në buxhet, - shtoi një tjetër. Për ministrin, mungesa e financimit ishte çështje e njohur, që sipas tij lidhet me krizën ekonomike, por ndërhyrja është e vështirë, pasi nuk ka fonde.
Përveçse tju mbështesim me asistencë, e cila nuk do të mungojë nga ana jonë, ndërsa për lek është bërë e vështirë, nuk kemi. Megjithatë, partneriteti nuk do të mungojë, - iu drejtua ministri Naço, bizneseve të koncesionit të energjisë. Debati vijoi me problemin e pronarit të truallit.
Në tokën ku kalon lumi ose ku ndodhet rezervuari dalin shumë pronarë njëherësh, ndërsa për investitorin është e vështirë të gjejë gjuhën e komunikimit dhe më pas të marrëveshjes. Për të marrë një vërtetim trualli të pronarit ka shumë burokraci. Shteti duhet të identifikojë zonat e lira dhe pronarin ligjor të truallit, - u shpreh një investitor, ndërsa të tjerët e mbështesnin.
Për këtë çështje, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka kryer disa ndryshime në vendimin për dhënie me qira të pronës shtetërore, duke sugjeruar ofrimin e truallit për 1 euro.
Në kreun V, pika 4 e VKM-së, shtohet paragrafi ku thuhet se, në funksionim të ushtrimit të aktivitetit të autorizuar dhe për të gjithë kohëzgjatjen e tij, pronat e paluajtshme të shtetit iu jepen në përdorim kundrejt tarifës simbolike 1 euro, koncesionarëve në fushën e ndërtimit të burimeve të reja energjetike.
Ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë kontrata koncesionare për mbi 200 hidrocentrale të vegjël e të mesëm si dhe garancinë ligjore se do të blejë të gjithë energjinë e prodhuar, vetëm pesë prej tyre rezultojnë me të vërtetë të ndërtuar.
Enti Rregullator i Energjisë bën të ditur se, pesë HEC-e të rinj (Tervoli, Hidro-Albania, Bishnica 1, Dishnica dhe Lubonja), u futën në sistem dhe fi lluan prodhimin e energjisë elektrike.
Të gjithë këta hidrocentrale së bashku kanë një fuqi të instaluar prej 16.1 MW (sistemi elektroenergjetik shqiptar ka gjithsej kapacitete gjeneruese prej 1600 MW), dhe parashikohet se do të prodhojnë 41.8 milionë kilovatorë në vit, shifër kjo e barabartë me dy ditë konsum kombëtar. Së bashku këta hidrocentrale do të kenë të ardhura prej afërsisht 1.8 milionë eurosh.
Për të nxitur nismën private për investime në ndërtimin e HEC-eve të rinj me koncesion, me fuqi deri në 15 MW, qeveria ka autorizuar KESH-in që të blejë të gjithë energjinë elektrike të prodhuar prej tyre, me çmim të miratuar nga ERE-ja sipas një formule nxitëse, thotë ERE-ja.
Prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike nga HEC-et deri 15 MW arriti në 159 milionë kWh, nga 89 milionë kWh që ishte në vitin 2009, ose me një rritje prej 78.1 për qind, nga e cila 46.8 për qind është realizuar nga HEC-et e rinj të futur në shfrytëzim vetëm gjatë vitit 2010.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, vetëm në identifikimin fillestar të projekteve për HEC-et e vegjël janë shpenzuar nga sektori privat jo më pak se 70 milionë euro, ndërsa sot, kur rreth 40 HEC-e janë në funksionim të plotë dhe rreth 30 të tjerë priten të fi llojnë shumë shpejt, kapitali i investuar i kalon 750 milionë euro.