22 Dhjetor 2024

Shqipëri, CEZ kërkon ngritjen e çmimit të dritave në 4.5%

Tiranë, 4 shtator - Zyrtarisht, kompania çeke kërkon një rritje të çmimit me të paktën 4.5 për qind, duke e lidhur me disa faktorë, si niveli i inflacionit dhe shtrenjtimi i energjisë që importohet.

Nga qyteti i Shkodrës u mësua konkretisht propozimi i paraqitur nga CEZ tek ERE për tarifat e reja që zbatohen në muajin janar të vitit 2012. Kërkesa është bërë publike nga kompania në një takim që Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka zhvilluar në Shkodër, në lidhje me përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj klientit.

Lajmin më parë e dha Erideta Bashi, drejtore e Administrimit të Përgjithshëm, CEZ Shpërndarje, ku ndryshe nga herët e kaluara, u bë transparente forma e aplikimit. Sipas Bashit, kompania CEZ Shpërndarje ka depozituar më 1 shtator, sipas rregullave të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, një kërkesë për ndryshim të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin fundor. Pak ditë më parë, gazeta “Shqip” publikoi lajmin e aplikimit për tarifat e reja dhe afatet deri në miratimin final të tyre. Drejtuesit e kompanisë çeke japin argumentin se pse duhet të rritet tarifa, efekti i të cilës shkon minus 2 mijë lekë për konsumatorin.

“Aplikimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike është një aplikim shumë kompleks, pasi përbëhet nga një numër kategorish të ndryshme tarifash. Për këtë arsye, është e vështirë të flasim vetëm për një shifër, por le të themi që mesatarja e kërkesës sonë është 4,5 për qind rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin fundor”, - deklaroi Bashi.

Sipas CEZ, arsyeja kryesore që i shtyn drejtuesit e kompanisë të kërkojnë rritje të çmimit ka të bëjë me nivelin e inflacionit. Duke iu referuar rezultateve të fundit nga Banka e Shqipërisë, inflacioni mesatar për këtë vit ka qenë 3.6 për qind.

“Një tjetër arsye është rritja e çmimit të energjisë elektrike që importohet apo blihet nga tregjet ndërkombëtare. Dhe veç kësaj, rritja mesatare prej 4,5 për qind përfshin gjithashtu një kosto që është prezantuar së fundmi nga ndryshimet që i janë bërë ligjit, i cili bën të detyrueshëm certifikimin e matësve nga një laborator i pavarur. Kostot për këtë certifikim të matësve kapin rreth 2 për qind nga rritja e kërkuar prej 4,5 për qind”, - shtoi më tej, drejtoresha e Administrimit në CEZ.

Tashmë ERE ka në dorë kërkesën e CEZ-it për rritje të çmimit dhe brenda tre muajve duhet të vendosë për tarifën e re. Deri atëherë, CEZ po përgatitet të nisë një fushatë të gjerë sensibilizimi për t’i shpjeguar publikut arsyet e rritjes dhe ndikimet në përmirësimin e shërbimeve.

Nga ana tjetër vjen reagimi i parë nga ana e Entit Rregullator. I pranishëm në takim ishte edhe drejtori Juridik i ERE-së, Eduard Elezi, i cili tha paraprakisht se, për çështje të rritjes së çmimit të energjisë do të kërkohet monitorim dhe verifikim i të gjitha kostove.

"Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar metodologjitë të cilat i japin ose paraqesin atë që kërkohet te tarifa përfundimtare e çmimit të energjisë elektrike. Nëse kompanitë aplikojnë pranë Entit Rregullator për çmime të energjisë elektrike, do të verifikohen dhe do të monitorohen të gjitha postet të cilat ata pretendojnë që i kanë të kryera dhe të gjithë kanë administrimet për vitin e ardhshëm", - tha Elezi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)