Shqipëri, bllokohen llogaritë bankare të kompanisë Cez
Tiranë, 18 dhjetor - Në Tiranë gjykata vendosi bllokimin e llogarive bankare të kompanisë Cez e cila ka nën kontroll sistemin e shpërndarjes së energjisë.
Vendimi erdhi pasi Cez nuk ka paguar një gjobë prej afër 4,3 milion dollarësh që Enti rregullator i Energjisë vuri ndaj saj për shkak se nuk realizoi pjesën e importit të energjisë që duhet të kryejë për të mbuluar humbjet në rrjet, si dhe pas disa ndërprerjeve të energjisë në zona të tëra të vendit të cilat sipas Cez nuk paguanin faturat.
Një ditë më parë ministria e Ekonomisë e paralajmëroi Cez-in se do të ngrinte padi për ndërprerjet e qëllimshme sipas saj, të energjisë ditët e fundit, të cilat provokuan dhe protesta të banorëve në zona të ndryshme të vendit.
Ndërkaq kompania deklaroi sot se ndërprerjet kanë ardhur vetëm si pasojë e motit të keq apo ndërhyrjeve të jashtëligjshme në rrjet dhe se ka angazhuar një numër të madh punonjësish për riparimin e difekteve. Kompania Cez vuri megjithatë në dukje se ndodhet në vështirësi financiare, të cilat janë bërë pengesë për të zëvendësuar në një kohë të shkurtër pajisjet e dëmtuara.
Marrëdhëniet mes autoriteteve dhe Cez janë në një pikë kritike. Brenda ditëve të ardhshme Enti rregullator pritet të vendosë për heqjen e licencës ndaj kompanisë e cila nga ana e saj ka paralajmëruar një tërheqje të mundshme nga Shqipëria