Shpërthim i madh në KEK
Sipas informacioneve jo zyrtare thuhet se të paktën 2 persona kanë gjetur vdekjen dhe 13 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një depozite me hidrogjen në termocentralin Kosova A në Obiliq të Kosovës.
Institucionet relevante ende nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen.
Ndersa Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i Shërbimeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka thënë se ka ndodhur një shpërthim në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ende nuk kemi informacione se çfarë ka ndodhur, por shpërthimi duket serioz.
"Ekipet e shpëtimit të KEK-ut janë në vendin e ngjarjes, ka thënë Nulleshi, duke shtuar se shumë shpejt do të merret vesh nëse ka persona të lënduar.
Shpërthimi ka ndodhur në orët e paraditës së të premtes dhe Drejtori i Shërbimeve i Koorporatës Energjitike të Kosovës saktësoi se shpërthimi ka ndodhur në repartin e elektrolizës, ndërsa shkaqet mbeten për tu hetuar.
Ndërkaq në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës kanë konfirmuar se prej andej janë sjellë 13 persona të plagosur, të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetën.
Me rastin e fatkeqësisë që ka ndodhur sot rreth orës njëmbëdhjetë në termocentralin Kosova A në Obiliq, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës informon opinionin se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë pranuar 14 të lënduar, të gjithë jashtë rrezikut për jetë. Dymbëdhjetë prej tyre janë lëshuar në shtëpi pas ofrimit të trajtimit mjekësor, derisa dy të tjerë janë nën observim mjekësor të vazhduar, por me prognozë të mirë. Ndërkohë, numri i viktimave nuk është konfirmuar ende nga organet përgjegjëse.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani menjëherë pas fatkeqësisë ka vizituar të lënduarit në Qendrën Emergjentë të QKUK-së, Shërbimin e Emergjencës të QKMF-së në Obiliq dhe Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, ku ka përgëzuar dhe falënderuar punonjësit shëndetësor të këtyre shërbimeve për reagimin profesional dhe të koordinuar , në të cilin morën pjesë edhe shërbimet emergjente të Komunës së Prishtinës dhe të komunave përreth.
Gjithashtu, MSh falënderon edhe Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë për gatishmërinë e ofruar për ndihmë të menjëhershme.
Shërbimet përkatëse mjekësore vazhdojnë të jenë në gjendje të gatishmërisë së lartë deri në sanimin e plotë të situatës në vendin e aksidentit.
Pas shpërthimit në termocentralet e KEK-ut në Komunën e Obiliqit, Komuna e Prishtinës i ka vendosur të gjitha resurset e veta në dispozicion për të ndihmuar në operacionet e kërkim/shpëtimit si dhe në trajtimin e të lënduarve.
Qendra e thirrjeve emergjente sipas komunës së Prishtines ka pranuar shumë thirrje dhe është në gatishmëri ta ndihmojë Komunën e Obiliqit dhe KEK-un në këtë situatë të rëndë